Autoritetet kineze ngritën në nivelin më të lartë alarmin për tajfunin Maysak, i cili ka shkaktuar reshje të dendura shiu dhe përmbytje të mëdha në rajonin jugor të Guangxi-t, duke lënë të paktën dy viktima dhe duke detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Sipas autoriteteve lokale, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 48 mijë banorë janë evakuuar. Lajmi u bë i ditur nga nënkryetari i bashkisë së Nanning, kryeqyteti i rajonit Guangxi.
Reshjet intensive shkaktuan dëme të mëdha në infrastrukturë. Në Nanning u regjistruan shembje të disa digave, ndërsa rrëshqitjet e baltës nga një çarje në digën e Rezervuarit Liulan u drejtuan drejt zonave të banuara.
Autoritetet njoftuan gjithashtu se u shemb edhe një digë në Rezervuarin Yunbiao, ndërsa Rezervuari Liugang doli nga shtrati.
Në qytetin Fangchenggang, më shumë se 800 banorë u evakuuan për shkak të përmbytjeve, ndërsa mediat shtetërore raportojnë se situata mbetet kritike në disa zona.
Sipas televizionit shtetëror CCTV, niveli i ujit ka kaluar kufijtë e alarmit në 66 stacione monitorimi hidrologjike përgjatë 55 lumenjve në rajonin Guangxi. Në zonën e Luwei-t u regjistruan 637 milimetra reshje brenda vetëm 24 orëve, një nga nivelet më të larta të raportuara.
Megjithëse Maysak është dobësuar dhe tashmë është klasifikuar si stuhi tropikale, autoritetet paralajmërojnë se reshjet e dendura pritet të vazhdojnë në Guangxi dhe në pjesën më të madhe të Kinës jugore edhe gjatë ditëve në vijim.
Për përballimin e emergjencës, autoritetet kineze kanë angazhuar 1,372 ekipe shtesë shpëtimi dhe 140 mjete lundruese për të mbështetur operacionet e evakuimit dhe ndihmës në zonat e prekura./mxh
