Last Updated on 06/07/2026 by EL
Hungaria po përballet me një krizë të re politike, pasi qeveria e kryeministrit Péter Magyar ka nisur procedurat për shkarkimin e presidentit Tamás Sulyok përmes një amendamenti kushtetues. Ndërkohë, partia opozitare Fidesz, e udhëhequr nga ish-kryeministri Viktor Orbán, ka bërë thirrje për protesta, duke e cilësuar nismën si një kërcënim për demokracinë. Amendamenti i propozuar parashikon jo vetëm largimin e presidentit, por edhe ndryshime të tjera të rëndësishme kushtetuese. Ai synon të largojë katër gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese duke vendosur moshën e pensionit në 70 vjeç, si dhe të kufizojë mandatin e deputetëve në maksimumi 12 vjet. Presidenti Tamás Sulyok ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Në një reagim publik, ai e cilësoi nismën e qeverisë si një sulm ndaj shtetit të së drejtës dhe demokracisë përfaqësuese. “Pyetja është nëse kjo forcë do të rrëzojë parimet e njohura ndërkombëtarisht të shtetit të së drejtës dhe demokracisë së mirëfilltë përfaqësuese”, u shpreh Sulyok. Péter Magyar kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore se do ta largonte presidentin nga detyra, duke argumentuar se ai nuk kishte përmbushur detyrimet kushtetuese dhe nuk kishte mbrojtur qytetarët opozitarë gjatë viteve të qeverisjes së Viktor Orbán. “Viktor Orbán dështoi përballë popullit hungarez dhe Tamás Sulyok, të cilin ai e emëroi, dështoi përballë Republikës së Hungarisë”, deklaroi Magyar në muajin qershor. Nga ana tjetër, Fidesz pretendon se shkarkimi i presidentit do t’i hapte rrugën një regjimi autoritar. Viktor Orbán akuzoi Partinë Tisza të Magyar se po shkel “çdo kufi njerëzor, moral dhe ligjor”, duke shtuar se “votuesit hungarezë nuk i kanë dhënë një mandat për këtë”. Opozita argumenton se Sulyok është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën dhe se largimi i tij do të përbënte një akt të motivuar politikisht.
Zhvillimet kanë tërhequr edhe vëmendjen ndërkombëtare. Javën e kaluar, një delegacion i Komisionit të Venecias, organ këshillimor i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese, zhvilloi takime me presidentin dhe zyrtarë të qeverisë, ndërsa raporti përfundimtar ende nuk është publikuar. Edhe Komisioni Evropian ka bërë të ditur se po monitoron nga afër procesin e ndryshimeve kushtetuese në Hungari.
