Last Updated on 07/07/2026 by Anisa
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, deklaroi se hetimet për pastrimin e parave dhe korrupsionin kanë shënuar rritje, falë forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ngritjes së strukturave të posaçme që prej vitit 2020.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Çela tha se memorandume bashkëpunimi janë nënshkruar me Doganat, Tatimet, Policinë e Shtetit dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, duke ndikuar në përmirësimin e rezultateve të hetimeve.
Ai theksoi se sistemi i drejtësisë është shmangur nga kolapsi, por prokuroritë vijojnë të punojnë vetëm me rreth 60% të kapaciteteve, ndërsa arrijnë të trajtojnë rreth 40% të letërporosive. Sipas tij, aktualisht janë rreth 22 mijë procedime penale në proces dhe shtimi i numrit të magjistratëve do të rriste ndjeshëm kapacitetet e sistemit.
Çela ngriti shqetësimin edhe për numrin e lartë të çështjeve të mosfilluara, që arrijnë në rreth 17 mijë, si dhe për mungesën e hapësirave infrastrukturore për prokurorët. Ai bëri të ditur se projekti për një godinë të re ende nuk është realizuar, ndërsa institucioni ka marrë premtimin se ajo do të jetë gati deri në vitin 2030.
Në fund, Prokurori i Përgjithshëm u ndal edhe te pavarësia e prokurorëve, duke vlerësuar se sistemi ka nevojë për një mekanizëm më efikas kontrolli. Sipas tij, krahas vlerësimit periodik të prokurorëve, duhet të forcohet edhe mekanizmi i inspektimit për të garantuar rritjen e efikasitetit dhe llogaridhënies./ad
