Last Updated on 07/07/2026 by EL
Mbi 104 milionë euro kanë kursyer bizneset por edhe qytetarët që janë bërë pjesë e procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.
Sipas të dhënave zyrtare të administratës tatimore, gjatë periudhës mars–qershor 2026, tatimpaguesit kanë kursyer rreth 104.3 milionë euro si pasojë e uljes së tarifave që duhet të paguajnë për shitjen apo transferimin e një apartamenti apo pronë.
Kjo pasi norma e tatimit që aplikohet është 5% nga 15% që ishte më herët. Aplikimi nga individët realizohet online në platformën e-Albania ku duhet të jepen të dhënat identifikuese të pasurisë që kërkohet të rivlerësohet.Autoritetet rikujtojnë se afati për kryerjen e rivlerësimit përfundon më 31 dhjetor 2026, ndërsa u bëjnë thirrje të gjithë pronarëve që të përfitojnë nga lehtësitë fiskale brenda afatit të përcaktuar.
Ekspertët theksojnë se rivlerësimi i pasurive krijon më shumë transparencë në treg, pasi pronat regjistrohen me vlera më pranë çmimeve reale të tregut. Kjo lehtëson transaksionet, redukton kostot për pronarët dhe nxit qarkullimin e pasurive të paluajtshme.
Njëkohësisht, procesi pritet të ketë efekte pozitive edhe në ekonomi, duke stimuluar investimet si dhe duke rritur formalizimin e tregut të pasurive të paluajtshme.
Të drejtën e kryerjes së rivlerësimit e kanë të gjithë ata individë që kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri më 31 dhjetor 2026./et
