Italia po përgatitet për një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si do të zgjedhë artistin që do ta përfaqësojë në Eurovision. Duke nisur nga edicioni i vitit 2027, triumfi në Festivalin e Sanremos nuk do të garantojë më automatikisht një biletë për në skenën europiane.
Vendimi është bërë i ditur nga drejtori i ri artistik i Sanremos, Stefano De Martino, i cili ka prezantuar një format të ri për përzgjedhjen e përfaqësuesit italian.
Sipas rregullave të reja, më 19 shkurt 2027 do të organizohet një spektakël i posaçëm, ku disa prej artistëve pjesëmarrës në Sanremo do të konkurrojnë për të fituar të drejtën e përfaqësimit në Eurovision. Kjo do të thotë se fituesi i festivalit dhe artisti që do të ngjitet në skenën e Eurovisionit mund të jenë dy emra të ndryshëm.
Ky ndryshim shënon fundin e një tradite shumëvjeçare, sipas së cilës fituesi i Sanremos kishte përparësi për të përfaqësuar Italinë në Eurovision, nëse pranonte ftesën.
Me formatin e ri, organizatorët synojnë të krijojnë një proces të veçantë për zgjedhjen e këngës dhe artistit që konsiderohet më konkurrues për skenën e Eurovisionit, duke ndarë kështu garën kombëtare nga ajo ndërkombëtare./mxh
