Argentina shpalli zyrtarisht pavarësinë nga Spanja më 9 korrik 1816, duke i dhënë fund më shumë se tre shekujve të sundimit kolonial. Deklarata u miratua në qytetin e San Miguel de Tucumán nga Kongresi i Tucumánit dhe shënoi lindjen e shtetit argjentinas.
Prania spanjolle në rajon kishte nisur që në fillim të shekullit XVI, me ekspeditat e para të vitit 1512 dhe u forcua gjatë dekadave pasuese përmes kolonizimit, ngritjes së qendrave administrative dhe shfrytëzimit ekonomik të territoreve të mëdha të Amerikës së Jugut. Fryma e pavarësisë, e ushqyer nga idetë e Iluminizmit dhe revolucioneve amerikane e franceze, u përhap gradualisht edhe në kolonitë spanjolle, duke çuar në luftërat për çlirim.
Megjithatë, pavarësia nuk solli menjëherë stabilitet. Për gati gjysmë shekulli, Argjentina u përfshi në konflikte të ashpra civile midis federalistëve dhe unitaristëve. Vetëm në vitin 1861 vendi u riorganizua si një federatë, me Buenos Aires si kryeqytet, duke krijuar bazat e shtetit modern.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Argjentina përjetoi një transformim të jashtëzakonshëm. Miliona emigrantë nga Italia, Spanja, Gjermania dhe vende të tjera evropiane ndryshuan rrënjësisht strukturën demografike dhe kulturën e vendit. Zhvillimi i bujqësisë, blegtorisë, eksporteve të mishit dhe drithërave, si edhe investimet në hekurudha e infrastrukturë, e shndërruan Argjentinën në një fuqi ekonomike.
Në fillim të shekullit XX, vendi konsiderohej një nga ekonomitë më të begata të planetit, duke u renditur i shtati në botë për nivelin e zhvillimit dhe të ardhurat për frymë. Për shumë emigrantë evropianë, Argjentina ishte “toka e mundësive”, një destinacion që premtonte mirëqenie dhe prosperitet.
Por kjo periudhë e artë nuk zgjati pafundësisht. Pas viteve 1930, grushtet e shtetit, paqëndrueshmëria politike, ndërhyrjet ushtarake, inflacioni kronik dhe krizat e përsëritura ekonomike e larguan vendin nga ritmi i zhvillimit që kishte njohur më parë. Edhe pse për disa dekada mbeti mes vendeve më të pasura të botës, Argjentina hyri në një cikël krizash që vazhdon të ndikojë ekonominë dhe politikën e saj edhe në ditët e sotme.
Historia e Argjentinës mbetet një shembull i rrallë se si një vend mund të ngjitet në majat e zhvillimit botëror dhe, më pas, të përballet me dekada të tëra sfidash politike dhe ekonomike.
Përgatiti: L.Veizi
