Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi sot se samiti i NATO-s në Ankara zhvillohet në një periudhë pasigurie të lartë gjeopolitike, ku ndarja e barrës së mbrojtjes mes aleatëve është një nga temat kryesore të diskutimit.
Para nisjes së samitit të 36-të të aleancës, Mitsotakis tha se presidenti amerikan Donald Trump, që prej mandatit të tij të parë, ka kërkuar vazhdimisht që vendet evropiane të marrin një pjesë më të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen.
Ai rikonfirmoi mbështetjen e Greqisë për një autonomi më të madhe strategjike të Evropës, duke theksuar se kjo duhet të plotësojë dhe jo të konkurrojë me NATO-n, përmes forcimit të shtyllës evropiane të aleancës.
Mitsotakis kujtoi se vendimet e marra në samitin e vitit të kaluar të NATO-s në Hagë përcaktuan objektiva të rëndësishëm për shpenzimet e mbrojtjes. Sipas tij, Greqia tashmë shpenzon 3,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen dhe po zbaton një program prej 25 miliardë eurosh për modernizimin e forcave të armatosura.
Ai theksoi se Athina i ka përmbushur vazhdimisht angazhimet ndaj NATO-s, edhe gjatë viteve të masave të ashpra të kursimit, pavarësisht sfidave të rëndësishme gjeopolitike në rajon.
Kryeministri grek shprehu gjithashtu shpresën që armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit të respektohet, duke vlerësuar se diplomacisë duhet t’i jepet kohë për të zgjidhur krizën.
I pyetur për deklaratat e bëra një ditë më parë nga Donald Trump dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, Mitsotakis nuk pranoi të komentojë drejtpërdrejt, por theksoi se një aleancë duhet të bazohet në parimet themelore të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Ai shtoi se Greqia vazhdon të përballet me atë që e konsideron një kërcënim të hapur lufte nga Turqia dhe nënvizoi se shqetësimet e sigurisë së të gjitha vendeve anëtare duhet të merren parasysh brenda një aleance që ka karakter mbrojtës.
Në përfundim, Mitsotakis u shpreh se beson se të gjitha çështjet e pazgjidhura mund të adresohen përmes dialogut, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit, duke shtuar se është gjithmonë kënaqësi të vizitojë Ankaranë./mxh
