Last Updated on 08/07/2026 by EL
Pse fentanili po shkatërron SHBA-në, ndërsa Italia po i reziston krizës së opioidit vdekjeprurës
Ndërsa Shtetet e Bashkuara vijojnë të përballen me një nga krizat më të rënda të shëndetit publik të dekadave të fundit, të shkaktuar nga fentanili, Italia dhe pjesa më e madhe e Evropës kanë arritur deri tani ta mbajnë nën kontroll përhapjen e këtij opioidi sintetik, i cili konsiderohet deri në 100 herë më i fuqishëm se morfina.
Ekspertët shpjegojnë se dallimi mes dy realiteteve nuk lidhet vetëm me trafikun e drogës, por mbi të gjitha me mënyrën se si janë ndërtuar sistemet shëndetësore dhe politikat për përshkrimin e opioidëve.
Kriza amerikane e ka zanafillën në vitet ’90, kur kompanitë farmaceutike promovuan përdorimin masiv të ilaçeve opioidë për trajtimin e dhimbjeve kronike. Përshkrimi i gjerë i këtyre medikamenteve krijoi miliona persona të varur. Kur autoritetet shtrënguan rregullat për marrjen e tyre, një pjesë e përdoruesve kaluan te heroina dhe më pas te fentanili, i cili u bë shpejt droga dominuese në tregun ilegal.
Që nga viti 2013, trafikantët nisën ta përdorin fentanilin për të përzier heroinën, kokainën dhe substanca të tjera narkotike. Kostoja e ulët e prodhimit, transporti i lehtë dhe fuqia e jashtëzakonshme e kanë bërë atë një nga drogat më vdekjeprurëse në botë. Edhe doza shumë të vogla mund të shkaktojnë ndalim të frymëmarrjes dhe vdekje nga mbidoza.
Në Itali, situata paraqitet ndryshe. Përshkrimi i opioidëve është shumë më i kontrolluar, ndërsa funksionojnë programe të mirëstrukturuara për trajtimin e varësisë me metadon dhe buprenorfinë, si edhe sisteme të vazhdueshme monitorimi. Sipas analizave të Institutit “Mario Negri”, nuk ka prova për një përdorim të gjerë rekreativ të fentanilit në vend.
Megjithatë, autoritetet italiane paralajmërojnë se rreziku mbetet real. Organizatat kriminale po e shohin fentanilin si një treg me fitime të mëdha dhe kosto të ulëta, ndërsa Europol dhe Interpol kanë zbuluar laboratorë të paligjshëm të prodhimit të opioidëve sintetikë edhe në territorin evropian.
Për të parandaluar një krizë të ngjashme me atë amerikane, në mars të vitit 2024 Italia miratoi Planin Kombëtar kundër përdorimit të papërshtatshëm të fentanilit dhe opioidëve sintetikë. Masat përfshijnë ruajtjen me siguri të lartë të rezervave spitalore, monitorimin në kohë reale të farmacive spitalore dhe forcimin e gatishmërisë së shërbimeve të urgjencës për të identifikuar dhe trajtuar menjëherë rastet e mundshme të mbidozës.
Edhe pse Italia nuk po përjeton krizën që ka goditur SHBA-në, ekspertët theksojnë se vigjilenca dhe masat parandaluese mbeten thelbësore për të mos lejuar që fentanili të kthehet në një kërcënim të madh edhe për Evropën.
