Last Updated on 08/07/2026 by EL
Tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Zyrtarët iranianë kanë kërkuar njohjen e asaj që e quajnë “rendi i ri iranian” në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, ka anuluar vizitën e planifikuar në Izrael.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, akuzoi SHBA-në se ka shkelur armëpushimin në disa mënyra, duke përmendur edhe, sipas tij, “shkeljen e rregullave të reja iraniane” në Ngushticën e Hormuzit.
Më pas, deputeti i lartë iranian Ebrahim Azizi deklaroi se “nuk ka alternativë tjetër” përveç njohjes së “rendit të ri iranian” në këtë korridor strategjik detar, përmes të cilit kalon një pjesë e madhe e tregtisë botërore të naftës.
Siguria në Ngushticën e Hormuzit mbetet një nga çështjet më të debatueshme në negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit. Dy palët kanë interpretime të ndryshme mbi kontrollin dhe rregullat e lundrimit në këtë zonë.
Sipas memorandumit të mirëkuptimit të arritur më 17 qershor, Irani ishte angazhuar të garantonte kalimin e sigurt të anijeve tregtare për një periudhë 60-ditore pa tarifa shtesë. Megjithatë, autoritetet iraniane kanë kërkuar që çdo anije të koordinohet me Teheranin gjatë kalimit dhe kanë paralajmëruar se përdorimi i korridoreve detare të përcaktuara nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO), pa miratimin e Iranit, është “i papranueshëm dhe plotësisht i rrezikshëm”.
Hegseth anulon vizitën në Izrael
Në të njëjtën kohë, BBC raportoi se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka anuluar vizitën që ishte planifikuar të zhvillonte në Izrael.
Hegseth ndodhej në Turqi për samitin e NATO-s së bashku me presidentin Donald Trump, ndërsa vizita në Izrael nuk ishte konfirmuar zyrtarisht nga asnjëra palë.
Sipas mediave ndërkombëtare, gjatë takimit pritej të diskutohej shqetësimi i Izraelit për mundësinë e shitjes së avionëve luftarakë F-35 Turqisë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar më herët se një marrëveshje e tillë do të ishte një gabim.
Deri më tani, as Uashingtoni dhe as Tel Avivi nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar për anulimin e vizitës./ET
