Aktori i njohur Matt Damon foli për sakrificat që vajzat e tij u desh të bënin gjatë kohës që ai ishte i angazhuar me xhirimet e filmit të ri të Christopher Nolan, “Odisea”.
Në premierën botërore të filmit në Londër, 55-vjeçari u shfaq në tapetin e kuq së bashku me bashkëshorten e tij, Luciana, dhe katër vajzat e tyre: Alexia, 27 vjeç, Isabella, 20 vjeç, Gia, 17 vjeç dhe Stella, 15 vjeç.
Në një intervistë për revistën People, Damon shprehu kënaqësinë që familja e tij pati mundësinë të shihte filmin ku ai interpreton rolin e Odiseut, pas një periudhe të gjatë dhe të lodhshme xhirimesh.
“Është diçka shumë e bukur, sepse edhe ato u desh të sakrifikonin shumë për këtë film. Unë mungova për një kohë të gjatë. Erdhën të më vizitonin, por ishte një produksion shumë i madh dhe rraskapitës. Jam vërtet i emocionuar që do ta shohin sonte”, tha aktori.
Në një tjetër prononcim për Entertainment Tonight, Damon pranoi se u emocionua kur pa të katër vajzat së bashku në premierë.
“Ato argëtohen ndërsa unë punoj, por jam shumë i lumtur që janë këtu. Të gjitha janë rritur. Sot pata një moment vërtet emocionues si baba kur i pashë”, u shpreh ai.
Aktori kishte treguar edhe më herët se vajzat e tij kanë trashëguar dashurinë për udhëtimet. Për shkak të profesionit të tij, Damon ka vizituar shumë vende të botës dhe, sa herë është e mundur, familja e shoqëron gjatë angazhimeve të tij.
“Ne jemi udhëtarë me shumë përvojë si familje, sepse puna ime më çon në çdo cep të botës. Fëmijët e mi e duan shumë udhëtimin”, kishte deklaruar ai.
Duke folur për periudhën në vijim, Damon tha se promovimi i “Odisesë” do të jetë një proces intensiv, me premiera në qytete të ndryshme evropiane. Ai shtoi se synon ta ketë familjen pranë gjatë një pjese të këtij turi promovues, në mënyrë që edhe vajzat e tij të zbulojnë destinacione të reja./mxh
