Last Updated on 08/07/2026 by EL
U prezantua si modeli i parë italian i inteligjencës artificiale dhe si një hap drejt “sovranitetit teknologjik”, por brenda pak orësh Emma-5 u shndërrua në objekt kritikash dhe talljesh në rrjet. Pas më shumë se 60 mijë ndërveprimeve me përdoruesit, platforma u pezullua për shkak të përgjigjeve të gabuara dhe shpesh absurde.
Përgjigje si “Ryanair është një kos” apo “qentë mund të fluturojnë” u përhapën me shpejtësi në mediat sociale, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësitë reale të modelit. Përballë reagimeve, kompania italiane Egomnia, krijuese e Emma-5, pranoi se pritshmëritë ishin shumë më të larta sesa mundësitë e projektit. Në një deklaratë zyrtare, ajo sqaroi se prezantimi i modelit si një alternativë italiane në fushën e inteligjencës artificiale krijoi idenë e gabuar se ai mund të konkurronte me platforma si ChatGPT. “Ta krahasosh Emma-5 me gjigantët amerikanë është si të krahasosh një kart me një makinë Formula 1”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Në aspektin teknik, Emma-5 rezulton të jetë një model shumë modest. Ai ka 550 milionë parametra, ndërkohë që modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale funksionojnë me dhjetëra ose qindra miliarda parametra.
Kufizimet nuk mbarojnë këtu. Modeli mund të përpunojë vetëm 2.048 token, ose rreth 1.500 fjalë, çka e pengon të analizojë tekste të gjata dhe të zhvillojë biseda komplekse. Për krahasim, modelet më të avancuara arrijnë të përpunojnë deri në qindra mijëra, madje edhe mbi një milion token.
Edhe procesi i trajnimit konsiderohet një nga arsyet kryesore të performancës së dobët. Emma-5 është trajnuar me rreth 10,8 miliardë token, një sasi shumë e kufizuar krahasuar me modelet kryesore ndërkombëtare, të cilat trajnohen mbi baza të dhënash shumë herë më të mëdha.
Sipas ekspertëve, pikërisht këto kufizime teknike çuan në prodhimin e të ashtuquajturave “halucinacione”, kur inteligjenca artificiale jep përgjigje të pasakta ose tërësisht të sajuara.
Themeluesi i Egomnia, Matteo Achilli, e cilësoi Emma-5 si një projekt ende të vogël dhe eksperimental, duke pranuar se zhvillimi i një inteligjence artificiale që mund të konkurrojë me liderët botërorë kërkon investime shumë më të mëdha dhe vite zhvillimi.
Dështimi i Emma-5 tregon se, në garën globale për inteligjencën artificiale, ambicia nuk mjafton. Për të konkurruar me gjigantët e sektorit nevojiten kapacitete teknologjike, fuqi llogaritëse dhe burime që sot mbeten sfida edhe për vendet me ekosisteme të zhvilluara të inovacionit.
