Nigel Farage, lideri i partisë Reform UK, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit në Parlamentin britanik dhe ka njoftuar se do të kandidojë sërish në zgjedhjet e pjesshme për zonën e tij elektorale, Clacton. Vendimi vjen në kohën kur ai përballet me akuza se ka marrë miliona paund donacione që nuk i ka deklaruar sipas rregullave parlamentare.
Farage po hetohet nga Komisioneri Parlamentar për Standardet për një donacion prej rreth 5 milionë paundësh, të cilin dyshohet se e ka marrë nga miliarderi i kriptomonedhave Christopher Harborne përpara se të shpallte kandidaturën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024. Sipas mediave britanike, transaksioni është raportuar edhe pranë Agjencisë Kombëtare të Krimit për shkak të dyshimeve mbi origjinën e fondeve. Farage i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se bëhej fjalë për një dhuratë personale të marrë para se të zgjidhej deputet dhe se nuk ka shkelur ligjin apo rregullat e Parlamentit.
Një hetim tjetër lidhet me pretendimet se Farage ka përfituar fonde për sigurinë dhe stafin nga George Cottrell, një sipërmarrës i kriptomonedhave dhe aleat i tij i hershëm, i cili më parë është dënuar në Shtetet e Bashkuara për çështje që lidhen me pastrimin e parave. Edhe për këto pretendime Farage ka mohuar çdo shkelje dhe ka paralajmëruar veprime ligjore ndaj mediave që publikuan akuzat.
Me dorëheqjen e tij, Farage shmang përkohësisht mundësinë që një pezullim parlamentar të çonte në një peticion për largimin e tij nga posti dhe në zgjedhje të detyruara. Në vend të kësaj, ai ka zgjedhur të rikthehet përballë votuesve me iniciativën e tij, duke e cilësuar garën si një betejë mes “popullit dhe establishmentit”. Ai është shprehur i bindur se do ta fitojë sërish mandatin.
Partia Laburiste, Konservatorët dhe Liberal Demokratët kanë bërë të ditur se nuk do të paraqesin kandidatë në zgjedhjet e pjesshme, duke e cilësuar vendimin e Farage një manovër politike për të shmangur presionin e hetimeve. Kryeministri Keir Starmer e quajti dorëheqjen një “marifet të dëshpëruar”, ndërsa figura të tjera të qeverisë e akuzuan Farage se po përpiqet t’u shmanget rregullave që vlejnë për të gjithë deputetët.
Nga ana tjetër, Reform UK ka mbështetur plotësisht liderin e saj. Zëvendësi i Farage, Richard Tice, deklaroi se ai do të fitojë me një diferencë edhe më të madhe se në zgjedhjet e vitit 2024 dhe se rezultati do të tregojë rritjen e mbështetjes për Reform UK. Partia ka njoftuar gjithashtu se do të mbulojë vetë shpenzimet e zgjedhjeve të pjesshme në Clacton.
Megjithëse hetimi parlamentar do të pezullohet gjatë fushatës zgjedhore, ai do të rifillojë, nëse Farage rizgjidhet deputet. Nëse në përfundim të hetimit ai shpallet fajtor për shkelje të rregullave parlamentare, mund të përballet me pezullim dhe me një tjetër proces zgjedhor në zonën e tij, këtë herë pa të drejtën për të kandiduar./mxh
