Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj mori pjesë në tryezën e diskutimit për programin kombëtar për përgatitjen e biznesit për integrimin në tregun unik europian.
Në një postim në rrjetet sociale Ibrahimaj tha se “biznesi shqiptar duhet të përgatitet që sot për tregun unik europian”.
“Në tryezë ndamë vizionin për një ekonomi më konkurruese dhe për një sektor privat të përgatitur për mundësitë që sjell anëtarësimi në Bashkimin Europian”, theksoi Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj informoi se programi synon të informojë dhe të mbështesë rreth 48 mijë ndërmarrje, të vlerësojë nivelin e përgatitjes së tyre dhe të ndërtojë instrumentet e nevojshme financiare dhe teknike për t’i ndihmuar të përmbushin standardet europiane.
“Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe komunitetin e biznesit, po ndërtojmë një mekanizëm të qëndrueshëm që do t’i ndihmojë sipërmarrjet shqiptare të rrisin konkurrueshmërinë, të zgjerojnë eksportet dhe të jenë gati për tregun unik europian”, tha Ibrahimaj.
Në tryezë ishin të pranishëm edhe zv/ministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu dhe ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka./mxh
