Jahti luksoz “Graceful”, i cili pas nisjes së luftës në Ukrainë u riemërua “Kosatka” dhe lidhet me presidentin rus Vladimir Putin, është zhvendosur në portin e Severomorskut, pranë Murmanskut, në veri të Rusisë.
Sipas raportimeve, anija 82 metra e gjatë ka mbërritur në këtë zonë e shoqëruar nga anija luftarake ruse “Voyevoda”, në një lëvizje që dyshohet se lidhet me frikën për sulme të mundshme nga forcat ukrainase.
Megjithëse Severomorsku ndodhet rreth 1,500 kilometra larg Ukrainës, Kievi tashmë disponon mjete që mund të godasin objektiva në distanca të tilla.
Zhvendosja e jahtit është zbuluar nga transmetuesi danez DR, i cili ka ndjekur lëvizjet e tij përmes imazheve satelitore që prej fundit të qershorit, kur anija ndodhej në brigjet e Danimarkës dhe kishte planifikuar të lundronte drejt Stambollit.
Sipas të dhënave të publikuara, anija ushtarake që shoqëronte jahtin ka lundruar me transponderët e fikur, duke e bërë më të vështirë gjurmimin e saj./mxh
