Naftëtari dhe sindikalisti Ago Nuhaj, sipërmarrësi Përparim Gjeka, aktivistja Arilda Lleshi dhe regjisori Kastriot Çipi ishin në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV për të folur për motivet e pjesëmarrjes në protestën që sot ishte në ditën e 40-të.
Pjesë nga biseda
Ago Nuhaj: Unë e dua atdheun tim me shtet dhe jo me pushtet. E dua vendim tim me ligje dhe rregulla, jo anarshi. E dua popullin të jetë në atdheun e vet, jo të përzënë. E dua kombin tim, të jetë i pasur dhe krenar që është shqiptar.
Përparim Gjeka: Unë merrem me biznes në fushën e tregtisë ndërkombëtare dhe logjistikës. Unë ndjej përgjegjësi, që jam një nga studentët ekselentë që shteti shqiptar ka investuar. Në vitet ‘95, kam shkuar në Kinë për studime. Jam rikthyer përsëri, mbarova master edhe në Amerikë, jam kthyer si gjithë shqiptarët që kanë dëshirë të kthehen dhe të zhvillohen në vendin e tyre. Provova disa vite, por kuptova që shteti këtu ishte i kapur, mundësitë për t’u zhvulluar gjatë jetës time kanë qenë të limituara dhe ika në emigrim. Kam gati 25 vjet jashtë Shqipërisë, shumicën e kohës kam qenë jashtë. Historia ime është e ngjashme me gjysmën e popullit tonë. Të jemi realist gjysma jeton jashtë Shqipërisë. Ripopullimi është ajo që kam dashur unë gjithmonë, ëndrra shqiptare e ripopullimit.
Kam qenë që nga dita e parë në protestë.
Kastriot Çipi: Kam 1001 arsye për të qenë në protestë. Arsyeja e parë e kam diskutuar në vitet 99, isha drejtor i teatrit, i emëruar nga Rama, dhashë dorëheqjen pasi kuptova se kishte plan ogurzi dhe korrupsion. Arsyeja e fundit, sa herë kam kaluar kufirin për në Maqedoninë e Veriut më ka ardhur turp për shkak të asfaltit të keq.
Arilda Lleshi: Protesta kishte natyrë të decentralizuar dhe jo organizim qendror. Kjo solli masivitetin, demokracinë, heterogjenitetin. Duke mos patur kokë të identifikueshme është e vështirë të kapet. Tashmë idealja është ta kalojmë nga revoltë në një lëvizje të organizuar. Ne kemi disa kërkesa, por duhet ta strukturojmë, se si e mendojmë ne Shqipërinë e re. Kemi dëshirë për demokraci të vërtetë, por duhet ta qartësojmë. Të kalojmë nga revolta në një lëvizje më të organizuar. Kjo duhet të vijë natyrshëm. Shoqëria është e fragmentarizuar dhe nuk do të jetë një proces i lehtë dhe i shpejtë. Duhet të jetë procesi dhe jo shpejtësia. Duhet punuar me grupet ekzistuese, dhe të mendojmë si do t’i arrijmë qëllimet tona. Duhet të formësojmë më mirë mendimet tona dhe pastaj të vijojmë më tutje./mxh
