Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri të madh pyjor që shpërtheu në Los Gallardos, në provincën juglindore të Almerías, njoftuan autoritetet rajonale të Andaluzisë.
Zjarri ka detyruar gjithashtu evakuimin e rreth 1 000 banorëve dhe ka shkaktuar mbylljen e disa rrugëve.
Sipas autoriteteve, disa nga viktimat u gjetën brenda automjeteve të përfshira nga flakët. Dëshmitarët dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga rrëzimi i një linje elektrike, por shkaku zyrtar ende nuk është konfirmuar.
Rreth 150 zjarrfikës, të mbështetur edhe nga Njësia Ushtarake e Emergjencave (UME), po punojnë për të vënë nën kontroll flakët pranë fshatit Bédar. Mes të plagosurve, një person është shtruar në spital për shkak të thithjes së tymit, një tjetër ka pësuar djegie, ndërsa katër persona janë trajtuar në vendngjarje për lëndime të lehta dhe probleme me frymëmarrjen.
Presidenti i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juanma Moreno, e cilësoi ngjarjen si “një tragjedi”, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave. Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez kishte deklaruar më herët se vendi do të mobilizonte kapacitetet më të mëdha për përballimin e zjarreve gjatë sezonit veror./kb
