Parlamenti Europian dhe qeveritë e vendeve të Bashkimit Europian po hyjnë në fazën përfundimtare të negociatave për euron digjitale. Ndër çështjet më të ndjeshme janë mënyra se si do të ndahen tarifat dhe si do të kompensohen bankat dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave.
Parlamenti Europian konfirmoi të enjten në Strasburg qëndrimin e tij negociues për euron digjitale. Eurodeputetët janë tashmë gati të nisin bisedimet me qeveritë e vendeve anëtare për mënyrën se si do të funksionojë euroja digjitale.
Euroja digjitale do të ishte një formë elektronike e parasë së bankës qendrore, e emetuar dhe e garantuar nga Banka Qendrore Europiane (BQE). Ajo synon të plotësojë paranë fizike dhe shërbimet ekzistuese bankare, jo t’i zëvendësojë ato.
Konsumatorët do të mund të mbanin euro digjitale në një portofol të posaçëm, me një kufi maksimal që ende nuk është përcaktuar.
Sistemi do të mbështeste pagesat si online, ashtu edhe offline, dhe synon të ofrojë një nivel të lartë privatësie. BQE-ja nuk do të mund t’i identifikonte drejtpërdrejt përdoruesit përmes të dhënave të pagesave të tyre.
BQE-ja do të siguronte infrastrukturën bazë, ndërsa bankat tregtare dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave do t’u ofronin klientëve shërbime në euro digjitale.
Sipas tri burimeve të përfshira në negociata, çështja më delikate pritet të jetë arritja e një marrëveshjeje për “modelin e kompensimit”.
Kjo nënkupton përcaktimin e institucioneve financiare që duhet të kompensohen, shumën që do të përfitojnë dhe mënyrën se si do të kryhen pagesat për ofrimin e shërbimeve në euro digjitale.
Një tjetër çështje kyçe në negociata është mënyra se si do të ndahen tarifat përgjatë zinxhirit të pagesave. Tregtarët pritet të paguajnë tarifa më të ulëta se ato që paguajnë aktualisht për transaksionet me karta.
Negociatat më intensive pritet të zhvillohen gjatë vjeshtës, ndërsa miratimi përfundimtar parashikohet deri në fund të vitit.
Euroja digjitale pritet të jetë e disponueshme për pagesat me pakicë nga viti 2029, pas një programi pilot që pritet të nisë në vitin 2027./ Euronews-ad
