Last Updated on 10/07/2026 by Anisa
Avokati i Popullit, Endri Shabani, ka qenë prezent këtë të premte në Vlorë për të prezantuar Raportin Vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2025. Shabani është ndalur të flasë edhe për mediat, duke thënë se arsyeja e prezencës së Avokatit të Popullit në Vlorë është të dëgjojë ankesat dhe kërkesat e qytetarëve.
Sipas Shabanit, në Vlorë kërkesat janë kryesisht për pronat dhe menaxhimin e tyre. Shabani thotë se ankesat e qytetarëve lidhen me Kadastrën dhe Avokati i Popullit do të hetojë çdo rast që lidhet me shpërdorimin e detyrës, tjetërsimin e pronave dhe ankesat e qytetarëve.
Shabani thekson se detyra e Avokatit të Popullit është të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe të jetë ndërmjetës për të zgjidhur kërkesat dhe ankesat e tyre.
I pyetur nga gazetarët, Shabani thotë se Avokati i Popullit nuk mund të mbajë asnjë qëndrim mbi kërkesat e protestuesve. Detyra e tij është të evidentojë rastet kur te qytetarët cenohet e drejta e tyre apo kur institucionet, si Policia e Shtetit, shkelin përgjegjësitë e funksionimit të tyre.
Ndërsa, për sa i përket komenteve negative të bëra në profilet e bizneseve në vend, Avokati i Popullit, Endri Shabani, thotë se nuk ka informacionin e duhur, por nëse cenohet e drejta e shprehjes së lirë të qytetarëve, do të nisë një hetim për rastin dhe do të ketë një reagim zyrtar.
Së bashku me përfaqësuesit më të lartë të pushtetit lokal, si dhe në prani të qytetarëve, në Vlorë është prezantuar Raporti i Avokatit të Popullit për vitin 2025./ad
