Last Updated on 10/07/2026 by Anisa
Gjykata Kushtetuese këtë të premte ka dalë me një reagim zyrtar përmes një postimi në “Facebook” lidhur me raportin e Avokaturës së Shtetit. Në reagim Gjykata ka bërë thirrje për maturi dhe kujdes në deklaratat e aktorëve ose personave të përfshirë në diskutimin publik për institucionin dhe gjyqtarët e saj.
Sipas saj raporti, përmban elemente keqinformuese dhe është përdorur publikisht për të vënë në diskutim integritetin dhe autoritetin e saj. Ndër të tjera ajo tërhoqi vëmendjen ndaj mënyrës së raportimit të Avokaturës së Shtetit.
Sipas njoftimit, Gjykata thekson se nuk vihet në lëvizje mbi bazën e rekomandimeve të ndonjë institucioni publik, përfshirë Avokaturën e Shtetit, dhe as njihet me vendimet e GJEDNJ-së ose i zbaton ato për shkak të njoftimeve të këtij institucioni.
Ndër të tjera Gjykata shton se sa herë paraqitet një ankim kushtetues individual, kërkohet informacion zyrtar nga Gjykata e Lartë për mënyrën e komunikimit të vendimit objekt ankimi dhe nëse kjo e fundit nuk paraqet prova në këtë drejtim, barra e provës nuk i kalon individit, ndërsa ankimi konsiderohet i paraqitur brenda afatit.
Gjykata gjithashtu thekson se ka ofruar asistencën e nevojshme sa herë që Departamenti për Ekzekutimin e Vendimeve i GJEDNJ-së ka kërkuar informacion përmes Avokaturës së Shtetit, si dhe ka ndërtuar ura bashkëpunimi me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë./ad
