Rusët janë në prag të një krize nervore. Frustrimi po i lë vendin ankthit dhe zemërimit ndaj pushtetit. Lufta në Ukrainë nuk është më një jehonë e largët, por ka hyrë me forcë në jetën e tyre, duke u materializuar në mungesën kronike të karburantit, ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë, zhdukjen e shumë produkteve nga raftet e dyqaneve dhe rritjen e çmimeve, veçanërisht të patates, çmimi i së cilës është rritur me 4,5% vetëm brenda një muaji. Edhe “Cari” nuk është në gjendje të mirë: popullariteti i Vladimir Putinit ka rënë në nivelin më të ulët të katër viteve të fundit.
“Çfarë duhet bërë?”, pyeste dikur Lenini në një vepër të famshme. “Çfarë duhet bërë” është i njëjti dilemë edhe për diktatorin rus, i tunduar nga një përshkallëzim i ri i luftës, por i vetëdijshëm se kostoja njerëzore dhe ekonomike do të ishte e lartë, madje tepër e lartë edhe për të dhe për stabilitetin e regjimit të tij.Sinjalet që vijnë nga Moska janë kontradiktore. Sipas burimeve pranë Kremlinit, të cituara nga agjencia Reuters, presidenti rus është nën presion të madh për të rifilluar negociatat me Kievin, por ai “po qëndron i palëkundur” dhe duket i vendosur të nisë ofensiva të reja në muajt e ardhshëm.
Sipas këtyre burimeve, ajo që e ka forcuar kokëfortësinë e tij – ose më saktë e ka zemëruar – janë sulmet e fundit të thella në territorin rus nga dronët ukrainas kundër impianteve, depozitave të naftës dhe porteve të Federatës Ruse, të cilat kanë nxjerrë jashtë funksionit një pjesë të madhe të kapacitetit të rafinimit të vendit.
Në përgjigje, Rusia ka kryer dy sulme masive me dronë dhe raketa kundër Ukrainës, veçanërisht ndaj kryeqytetit Kiev, duke shkaktuar dhjetëra viktima mes popullsisë civile. Një nga burimet, që sipas Reuters është në kontakt të rregullt me presidentin rus, tha se së fundmi Putini ka refuzuar sugjerimin e një grupi këshilltarësh për të pranuar një armëpushim mbi vijën aktuale të frontit, ku forcat ruse kontrollojnë vetëm një pjesë të Donbasit.
Kreu i Kremlinit mbetet i fiksuar pas objektivit për të pushtuar të gjithë rajonin lindor të Ukrainës dhe madje besohet se është i bindur se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Një operacion për pushtimin përfundimtar të Donbasit do të kërkonte një mobilizim të ri, pra një thirrje të detyrueshme ushtarake, një lëvizje politikisht jopopullore që Putini është përpjekur ta shmangë që nga fillimi i konfliktit.
“Rusia është e gatshme për një zgjidhje paqësore, por ka kapacitete të mjaftueshme për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe për të vazhduar operacionin ushtarak special”, shtoi Peskov.
Që në qershor, Putini kishte refuzuar publikisht ofertën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për një takim me qëllim arritjen e një armëpushimi.
Këto sinjale nga Kremlini vijnë pas deklaratave të bëra në fillim të javës nga Donald Trump, në prag të samitit të NATO-s të mbajtur në Ankara. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili kishte folur pak më parë në telefon me Putinin, tha se lideri rus dëshiron t’i japë fund luftës dhe se një zgjidhje është “më afër nga sa mendohet”. Në margjinat e samitit turk, Trump zhvilloi edhe një takim të gjatë me Zelenskyn, gjatë të cilit diskutuan “ide për t’iu afruar paqes”.
Vlerësimi i inteligjencës ukrainase është se Putini po përgatit një përshkallëzim të ri në Ukrainë dhe madje po shqyrton mundësinë e një sulmi të kufizuar ndaj territorit të një vendi perëndimor, për shembull ndaj një baze të NATO-s në një nga shtetet baltike.
Edhe pse kjo hipotezë duket e guximshme, disa analistë ushtarakë perëndimorë mendojnë se një skenar i tillë mund të përdoret për të krijuar tensione dhe, potencialisht, për të përçarë Aleancën mbi mënyrën e reagimit.
Me fjalë të tjera, do të vihej në provë angazhimi i ritheksuar në komunikatën përfundimtare të samitit të Ankarasë, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithë NATO-s, siç përcaktohet nga neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut./ Corriere della Serra-ad
