Paleontologët në Tajlandë kanë zbuluar një specie të re dinozauri nga fosilet e gjetura në provincën Kalasin, në verilindje të vendit.
Dinozauri, i quajtur “Uragasaurus kalasinensis”, ishte barngrënës dhe mendohet se ka jetuar rreth 150 milionë vjet më parë, gjatë periudhës së Jurasikut të Vonë.
Ai kishte një qafë jashtëzakonisht të gjatë dhe arrinte deri në 20 metra gjatësi, afërsisht sa gjatësia e një fushe kriketi.
Sipas Dr. Apirat Nilphanaphan, autorit kryesor të studimit nga Universiteti Mahasarakham, fosili është pjesë e një koleksioni të madh të zbuluar në zonën Phu Noi.
Vendi u identifikua për herë të parë në vitin 2008, pasi një banor gjeti fragmente që i ngjanin luspave të një gjarpri.
Kur studiuesit nisën gërmimet, ata zbuluan dhëmbë, kocka dhe shumë fosile të tjera dinosaurësh.
Mbi 90% e fosileve të nxjerra nga kjo zonë, i përkisnin dinosaurëve.
Fosili që zbuloi specien e re
Zbulimi i species së re u bë falë një rruaze të shtyllës kurrizore (një kockë nga pjesa e mesme ose e sipërme e shpinës), e cila kishte veçori që nuk ishin parë më parë.
Përmes një skanimi me tomografi kompjuterike (CT), studiuesit përcaktuan se dinozauri i përkiste familjes “Mamenchisauridae”, një grup dinozaurësh gjigantë me qafë shumë të gjatë, të cilët e përdornin atë, për të arritur bimësinë në lartësi të ndryshme.
Deri më tani, shumica e fosileve të kësaj familjeje janë gjetur në Kinë, ndaj ky është zbulimi i parë i këtij lloji në Tajlandë.
Çfarë e bën të veçantë?
Skanimi zbuloi edhe disa karakteristika unike. Njëra prej tyre ishte një strukturë në formën e shkronjës “Y” e disa zgjatimeve kockore që forcojnë rruazën e shtyllës kurrizore.
Gjithashtu, dinozauri kishte një sistem zgavrash ajri brenda kockave, me një formë që nuk është vërejtur te asnjë dinosaur tjetër i njohur deri më sot.
“Këto veçori nuk i ka asnjë dinozaur tjetër në botë. Pikërisht kjo e bën një specie të re”, tha Dr. Nilphanaphan.
Studimi është publikuar këtë javë në revistën shkencore “Nature”.
Një tjetër zbulim i rëndësishëm
Në muajin maj, shkencëtarët njoftuan edhe zbulimin e një tjetër dinozauri barngrënës me qafë të gjatë në Tajlandë, të quajtur “Nagatitan”.
Ai konsiderohet dinozauri më i madh i zbuluar ndonjëherë në Azinë Juglindore, me një peshë rreth 27 tonë (sa nëntë elefantë aziatikë të rritur) dhe një gjatësi prej 27 metrash./mxh
