Bad Bunny po përballet me një betejë ligjore me ish-partneren e tij, Carliz de la Cruz Hernández, e cila kërkon 40 milionë dollarë dëmshpërblim nga artisti portorikan dhe kompania e tij diskografike.
Në qendër të padisë është fraza e njohur “Bad Bunny, baby”, e cila është përdorur në disa prej projekteve muzikore të këngëtarit. Carliz pretendon se e ka regjistruar këtë audio në vitin 2015, kur ishte ende në një lidhje me artistin, emri i vërtetë i të cilit është Benito Martínez.
Sipas saj, regjistrimi është përdorur pa autorizimin e saj në këngët “Pa’ Ti”, të publikuar në vitin 2017, dhe “Dos Mil 16”, pjesë e albumit “Un Verano Sin Ti” të vitit 2022. Fraza dyshohet se është përdorur gjithashtu në koncerte dhe fushata promocionale.
Ish-partnerja e këngëtarit, e cila tashmë ushtron profesionin e juristes, pretendon se nuk ka dhënë asnjëherë leje zyrtare për shfrytëzimin komercial të zërit të saj. Ajo deklaron se, para publikimit të albumit “Un Verano Sin Ti”, kishte refuzuar një ofertë për të shitur të drejtat e regjistrimit.
Gjykata Supreme e Porto Rikos ka vendosur së fundmi që një pjesë e padisë të vazhdojë të shqyrtohet nga gjykata më e ulët. Vendimi nuk përbën një dënim ndaj Bad Bunny-t, por përcakton se cilat pretendime mund të kalojnë në fazën e gjykimit.
Pretendimet që lidhen me këngën “Pa’ Ti” janë rrëzuar për shkak se afati ligjor për ngritjen e tyre kishte përfunduar. Megjithatë, çështjet që lidhen me përdorimin e zërit në “Dos Mil 16” dhe në aktivitete të tjera promocionale mbeten ende të hapura.
Gjykata e Shkallës së Parë në Porto Riko do të analizojë dokumentet dhe provat e paraqitura nga të dyja palët, për të vendosur nëse artisti dhe kompania e tij diskografike kanë përdorur regjistrimin në mënyrë të paligjshme.
Ndërkohë, kjo nuk është e vetmja çështje ligjore që lidhet me përdorimin e regjistrimeve zanore nga Bad Bunny. Një grua tjetër, Tainaly Serrano Rivera, ka ngritur gjithashtu një padi, duke pretenduar se zëri i saj është përdorur pa leje në këngët “Solo de Mí” dhe “EoO”. Edhe kjo çështje ndodhet ende në fazat e para të shqyrtimit./mxh
