Last Updated on 12/07/2026 by Kesjana
Një nga momentet më të diskutueshme të çerekfinales së Botërorit 2026 mes Norvegjisë dhe Anglisë ishte goli i barazimit i Jude Bellingham, për të cilin norvegjezët pretenduan se nuk duhej të ishte pranuar.
Trajneri i Norvegjisë, Ståle Solbakken, deklaroi pas ndeshjes se topi ndryshoi trajektore pasi preku kabllon e kamerës ajrore (spidercam) menjëherë përpara aksionit që solli golin e Bellingham. Sipas tij, kjo shkaktoi konfuzion te mbrojtësit norvegjezë dhe ndikoi drejtpërdrejt në zhvillimin e aksionit.
Sipas rregullores së IFAB, nëse topi prek një objekt të jashtëm, si kabllot e kamerave mbi fushë, loja duhet të ndërpritet menjëherë dhe të rifillojë me një top të hedhur nga arbitri.
Megjithatë, FIFA hodhi poshtë pretendimet e Norvegjisë. Organizmi qeverisës i futbollit bëri të ditur se sensori i vendosur brenda topit (“Connected Ball”) nuk regjistroi asnjë kontakt me kabllon dhe, për këtë arsye, nuk kishte arsye që arbitri apo VAR të anulonin aksionin.
Polemikat vazhduan edhe pas ndeshjes, pasi pamjet televizive krijuan përshtypjen se topi mund të kishte ndryshuar drejtim në ajër. Megjithatë, FIFA këmbënguli se të dhënat teknologjike nuk tregojnë asnjë prekje me kabllon, ndaj goli i Bellingham u konsiderua i rregullt.
Anglia fitoi sfidën 2-1 pas kohës shtesë dhe siguroi kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Botës./kb
