Last Updated on 13/07/2026 by Anisa
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 64-vjeçarin Shtjefen Ziçi, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Bardhe Ziçi.
Gjatë seancës gjyqësore, 64-vjeçari nuk ka bërë asnjë deklaratë para trupit gjykues.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës, Agim Martini, ka kërkuar që klienti i tij t’i nënshtrohet një vlerësimi psikik, duke argumentuar se është e nevojshme të verifikohet gjendja e tij mendore.
Pavarësisht këtij kërkimi, gjyqtarja Zamira Lila vendosi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke lënë në fuqi izolimin e 64-vjeçarit deri në vijimin e procedurave hetimore.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë, kur Shtjefen Ziçi qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij, 54-vjeçaren Bardhe Ziçi, me një armë gjahu tip çifte, në banesën e tyre.
Pas arrestimit, 64-vjeçari ka folur shumë pak para efektivëve të policisë. Në gjendje shoku, ai ka thënë vetëm: “Kam vrarë gruan time, çfarë kam bërë?”, pa dhënë më pas deklarime të tjera para hetuesve./ad
