Të mësuarit dhe përdorimi i më shumë se një gjuhe mund ta mbajë trurin më të ri për shumë vite. Ky është përfundimi i një studimi të prezantuar në FENS Forum 2026 në Barcelonë, ku u zbulua se sa më herët të mësohen gjuhët dhe sa më i lartë të jetë niveli i zotërimit të tyre, aq më të mëdha janë përfitimet për shëndetin e trurit.
Studimi përfshiu gati 900 persona nga Rajoni Bask në Spanjë, të cilët flisnin spanjisht, baskisht, frëngjisht dhe anglisht.
Duke krahasuar moshën biologjike të trurit me moshën reale të pjesëmarrësve, studiuesit zbuluan se personat që flisnin dy gjuhë kishin një tru mesatarisht gjashtë vjet më të ri. Ata që flisnin tre gjuhë kishin një tru shtatë vjet më të ri, ndërsa ata që zotëronin katër gjuhë kishin një tru deri në 13 vjet më të ri.
Sipas studiuesve, ndikim nuk kishte vetëm numri i gjuhëve të folura, por edhe niveli i njohjes së tyre dhe mosha kur ishte mësuar gjuha e dytë. Sa më herët të fillojë mësimi dhe sa më mirë të zotërohet gjuha, aq më shumë vonohet plakja e trurit.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të mësuarit e një gjuhe në moshë të rritur nuk sjell përfitime. Edhe pse efektet më të mëdha vërehen te ata që mësojnë gjuhë që në fëmijëri, studiuesit theksojnë se edhe të rriturit përfitojnë ndjeshëm, pasi mësimi i një gjuhe të re ndihmon në ruajtjen e funksioneve njohëse dhe shëndetit të trurit.
Autorët theksojnë se, edhe pse në analizë u morën parasysh faktorë si mosha, gjinia dhe niveli i arsimimit, nuk mund të përjashtohet ndikimi i elementëve të tjerë, si stili i jetesës dhe angazhimi social. Hapi i ardhshëm i kërkimit do të jetë studimi i ndikimit të shumëgjuhësisë te personat me sëmundje neurodegjenerative, si Alzheimeri.
