Rusia vijon të rekrutojë qytetarë nga vende afrikane për të mbuluar nevojat e saj ushtarake në luftën në Ukrainë. Sipas autoriteteve ukrainase, që nga fillimi i pushtimit në shkurt të vitit 2022, afro 3 mijë qytetarë nga 36 vende afrikane janë rekrutuar nga Moska.
Megjithatë, dëshmitë e disa luftëtarëve afrikanë të kapur rob nga forcat ukrainase tregojnë një panoramë më të ndërlikuar. Në intervista të dhëna për Politico, ata thonë se iu bashkuan ushtrisë ruse me dëshirën e tyre, kryesisht për arsye ekonomike, dhe se dëshirojnë të rikthehen në Rusi në rast të një shkëmbimi të robërve, jo në vendet e tyre të origjinës.
Njëri prej tyre, një shtetas nga Republika Demokratike e Kongos me pseudonimin “Avatar”, tha se tashmë e konsideron Rusinë si shtëpinë e tij.
“Kam familje në Rusi. Pse duhet të kthehem në Kongo? Ukraina mendon se ne do të rikthehemi në luftë, por unë dua të kthehem në Rusi,” është shprehur ai.
Një tjetër i burgosur nga Egjipti, i njohur me pseudonimin “Cairo”, pretendon se ai dhe të tjerët kanë nënshkruar kontratat me ushtrinë ruse duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për detyrat që do të kryenin.
“Nuk është e vërtetë që afrikanët janë mashtruar. Kur nënshkruan kontratën, të shpjegojnë qartë se për çfarë pune bëhet fjalë,” tha ai.
Nga ana tjetër, Ukraina këmbëngul se Rusia po shfrytëzon qytetarë nga vendet afrikane si “mish për top”, duke i joshur me premtime për punë dhe paga të larta.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, ka deklaruar më herët se rekrutimi i qytetarëve afrikanë përbën një prirje shqetësuese dhe se disa qeveri afrikane kanë kërkuar ndihmën e Kievit për riatdhesimin e shtetasve të tyre.
Sipas raportimit, Rusia u ofron rekrutëve afrikanë një bonus nënshkrimi prej rreth 13 mijë dollarësh dhe një pagë mujore prej të paktën 2 mijë dollarësh, shifra që konsiderohen shumë të larta krahasuar me të ardhurat mesatare në shumicën e vendeve të Afrikës Subsahariane.
Çështja është bërë pjesë e përplasjes më të gjerë diplomatike mes Rusisë dhe Ukrainës për ndikimin në Afrikë. Kievi ka shtuar praninë e tij diplomatike në kontinent, por Moska vazhdon të ruajë avantazhin me një rrjet më të madh ambasadash dhe lidhje historike që datojnë prej periudhës sovjetike.
Ndërkohë, disa nga luftëtarët afrikanë të kapur i kanë bërë thirrje Ukrainës që, nëse synon të forcojë marrëdhëniet me vendet afrikane, t’i përfshijë ata në marrëveshjet për shkëmbimin e robërve, në mënyrë që të mund të rikthehen në Rusi./ad
