Shkatërrimi masiv në Rripin e Gazës është rezultat i një “politike të qëllimshme”, pohoi ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, i cili argumentoi se qëllimi i saj është eliminimi i kërcënimeve ndaj shtetit hebre.
Gjatë një vizite në Gazën veriore, komentet e së cilës u transmetuan nga televizioni izraelit Channel 14, Katz u pyet se si ndihej përballë shkatërrimit të enklavës. “Është një ndjesi e mirë, apo jo?”, u përgjigj ai, duke i mëshuar idesë se dëmet janë pasojë e një strategjie të planifikuar nga autoritetet izraelite.
“Izraeli ka ndryshuar qasjen ushtarake në Gaza, duke hequr dorë nga operacionet e përkohshme. Në vend që të hynim dhe të dilnim nga enklava, ushtria jonë tani është aty, terroristët janë jashtë dhe shtëpitë janë shkatërruar”, shprehet Israel Katz, ministër izraelit i mbrojtjes.
Gjatë vizitës, Katz njoftoi gjithashtu planin për ngritjen e tre kazermave të tipit Nahal në Gazën veriore, në zonat ku ekzistonin vendbanime izraelite para tërheqjes së Izraelit nga territory në vitin 2005. Strukturat Nahal janë të lidhura me ushtrinë izraelite, dhe historikisht kanë shërbyer si baza për krijimin e vendbanimeve të reja, që më pas janë transformuar në komunitete civile. Ministri izraelit argumentoi se vendosja e tyre është e nevojshme për arsye sigurie dhe se do të forcojë kontrollin izraelit mbi zonën, si dhe mbrojtjen e banorëve pranë kufirit. Gaza sakaq, vazhdon të mbetet e zhytur në krizë.
Sipas autoriteteve shëndetësore atje, numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite në tetor 2023 ka kaluar 73 mijë, ndërsa mbi 173 mijë të tjerë janë plagosur. Shumica e viktimave, sipas këtyre autoriteteve, janë gra dhe fëmijë. Izraeli kundërshton mënyrën se si autoritetet e Gazës raportojnë viktimat, por organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, i kanë cilësuar këto shifra si përgjithësisht të besueshme.
Luftimet kanë shkatërruar pjesën më të madhe të infrastrukturës së Gazës dhe kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit.
