Një studim i ri ndërkombëtar ngre shqetësime për të ardhmen e shëndetit riprodhues të grave. Sipas hulumtimit, deri në vitin 2036 rreth 79.5 milionë gra në mbarë botën, të moshës 35 vjeç e lart, mund të preken nga infertiliteti.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore The Lancet Obstetrics, Gynaecology & Women’s Health, tregon se rastet e infertilitetit po rriten vazhdimisht, veçanërisht në vendet e zhvilluara dhe në shoqëritë ku prindërimi po shtyhet në moshë më të madhe.
Studiuesit analizuan të dhëna nga 204 vende dhe rajone të botës, të mbledhura gjatë periudhës 1990–2023. Sipas rezultateve, në vitin 2023 rreth 53.6 milionë gra të moshës 35–49 vjeç ishin diagnostikuar me infertilitet.
Infertiliteti përkufizohet si pamundësia e një çifti për të arritur një shtatzëni pas të paktën 12 muajsh marrëdhëniesh të rregullta seksuale pa mbrojtje. Ai ndryshon nga steriliteti, i cili nënkupton një pamundësi të plotë për riprodhim.
Azia përballet me normat më të larta
Sipas autorëve të studimit, nivelet më shqetësuese të infertilitetit janë regjistruar në disa vende të Azisë, ndërsa normat më të ulëta janë raportuar në rajonin e Australasias, ku përfshihen Australia, Zelanda e Re, Guinea e Re dhe ishujt përreth në Oqeanin Paqësor.
Shkencëtarët shpjegojnë se rritja e rasteve nuk lidhet vetëm me faktorët biologjikë, por edhe me ndryshimet sociale. Në shumë vende, njerëzit martohen më vonë dhe vendosin ta shtyjnë krijimin e familjes për shkak të arsimit, karrierës apo kushteve ekonomike.
Një tjetër faktor është edhe rritja e ndërgjegjësimit për infertilitetin. Më shumë çifte po kërkojnë ndihmë mjekësore dhe po diagnostikohen, gjë që ndikon në rritjen e numrit të rasteve të raportuara.
Mosha, një nga faktorët kryesorë
Ekspertët theksojnë se një nga arsyet kryesore të rritjes së infertilitetit lidhet me ndryshimet natyrore që ndodhin me moshën.
Me kalimin e viteve, rezerva ovariane zvogëlohet dhe ulet aftësia natyrore për fekondim. Kjo shoqërohet edhe me rritje të rrezikut për aborte spontane dhe ulje të suksesit të trajtimeve të riprodhimit të asistuar.
Megjithatë, studiuesit nënvizojnë se sfida nuk është vetëm biologjike. Në shumë vende, trajtimet për infertilitetin mbeten të kushtueshme ose të paarritshme për një pjesë të madhe të popullsisë.
Rritja më e madhe pritet te gratë 35–39 vjeç
Sipas parashikimeve të studimit, gjatë dekadës së ardhshme rritja më e madhe e rasteve të infertilitetit pritet të ndodhë te gratë e grupmoshës 35–39 vjeç.
Autorët bëjnë thirrje për më shumë investime në kujdesin shëndetësor riprodhues, diagnostikim më të hershëm dhe akses më të gjerë në trajtime, pasi infertiliteti po shndërrohet në një sfidë globale shëndetësore me ndikim të madh social dhe ekonomik./ad
