Last Updated on 14/07/2026 by Anisa
Deklarata e fundit e ministres serbe Snezhana Paunoviç, se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”, ka shkaktuar reagime të forta politike. Për Majkon, kjo deklaratë nuk është thjesht një qëndrim personal, por një tregues i një fryme politike që ende mbart hijet e së kaluarës dhe që përbën një sfidë për procesin e pajtimit dhe integrimit europian të rajonit.
Reagimi i plotë:
Ministrja serbe Snezhana Paunoviç, ka deklaruar se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.
Janë kujtimet ato që na përcaktojnë! Ndaj askush nuk ka pse të ndihet shumë i “çuditur” nga deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç! Kjo deklaratë publike (e një ministreje), është ndërkaq, një “peshë” mbi qeverinë serbe e cila kërkon integrimin europian!
Kujtimi i një lufte të humbur e bën paqen frustruese! Ministrja serbe ka shprehur me “sinqeritet” atë vullnet kolektiv i cili, për fat të keq, ekziston ende brenda strukturave të politikës dhe shtetit serb!
Sinqeriteti publik i ministres Snezhana Paunoviç nuk është vetëm “guxim”, por edhe vazhdimësi e një politike të një njeriu si Sllobodan Millosheviç, të burgosur në Hagë për krime lufte!
… Sot, në Hagë po gjykohen edhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Nëse Sllobodan Millosheviçi do ta realizonte atë që dëshiron publikisht, ministrja serbe Snezhana Paunoviç, të akuzuarit nuk kishin pse gjykoheshin, sot në Hagë! Ata, sot, nuk do të ishin të gjallë!…
Vetëdija e “fajësisë” për një krim të “papërfunduar” në kohë paqe, është po aq i rëndë sa një krim i kryer në kohë lufte!/ ad
