**
Vrapimi i tetë dhe i fundit me dema në festivalin e famshëm San Fermín në Pamplona të Spanjës u mbyll të martën me 10 të plagosur, duke e çuar në 57 numrin total të personave të lënduar gjatë edicionit të këtij viti.
Sipas autoriteteve të rajonit të Navarrës, një 18-vjeçar pësoi plagë në kofshë pasi u godit nga briri i një demi, ndërsa një 46-vjeçar u plagos në kraharor. Tetë persona të tjerë u dërguan në spital me mavijosje dhe dëmtime të ndryshme.
Demat përshkuan itinerarin tradicional prej 848.6 metrash nga stalla deri në arenën e ndeshjeve me dema për vetëm 2 minuta e 25 sekonda.
Për tetë mëngjese radhazi, qindra pjesëmarrës, të veshur kryesisht me rrobat tradicionale të bardha dhe shaminë e kuqe në qafë, vrapuan në rrugicat e ngushta të Pamplonës përpara tufës së demave. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ishin burra.
Nga 57 të plagosurit e këtij viti, katër u goditën nga brirët e demave, përfshirë një 30-vjeçar spanjoll që mori një plagë në fytyrë. Pesë të plagosur ishin shtetas të huaj: dy britanikë, një australian, një amerikan dhe një gjerman, i cili u plagos në krahun e majtë.
Pas vrapimeve, demat përdoren në ndeshjet tradicionale me matadorë, ku zakonisht vriten.
Festivali San Fermín, i bërë i famshëm në mbarë botën nga romani “The Sun Also Rises” i Ernest Hemingway, tërheq çdo vit mijëra vizitorë nga e gjithë bota. Ceremonia përmbyllëse e edicionit të këtij viti zhvillohet në mesnatë.
Sipas të dhënave zyrtare, që nga viti 1911, kur nisën të mbahen statistikat, 16 persona kanë humbur jetën gjatë vrapimeve me dema. Viktima e fundit u regjistrua në vitin 2009, kur një 27-vjeçar spanjoll vdiq pasi u godit nga briri i një demi në qafë, zemër dhe mushkëri./FC
