Izraeli dhe Libani nisën sot një raund të ri bisedimesh të drejtpërdrejta, me synimin për të frenuar përplasjet përgjatë kufirit të tyre të përbashkët.
Delegacionet e të dy vendeve u takuan në ambientet e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin italian, ndërsa negociatat pritet të zgjasin dy ditë.
Bisedimet zhvillohen pas marrëveshjes kornizë të arritur në fund të qershorit me ndërmjetësimin e SHBA-së, e cila synon të hapë rrugën drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.
Megjithatë, grupi militant islamik Hezbollah nuk merr pjesë në negociata.
Qeveria libaneze thekson se nuk është palë në konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut, ndërsa dy shtetet vazhdojnë të mos kenë marrëdhënie zyrtare diplomatike.
Një nga elementët kryesorë të marrëveshjes parashikon tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga jugu i Libanit.
Në fazën e parë, ushtria libaneze do të marrë kontrollin e dy zonave të vogla, ku sipas marrëveshjes nuk duhet të ketë prani të Hezbollahut.
Nga ana tjetër, Izraeli kërkon çarmatimin e Hezbollahut si kusht për përfundimin e tërheqjes ushtarake.
Milicia shiite e ka refuzuar vazhdimisht këtë kërkesë, duke insistuar se fillimisht Izraeli duhet të largohet plotësisht nga territori libanez.
Edhe pse është në fuqi një armëpushim, përplasjet në jug të Libanit vazhdojnë.
Ushtria izraelite kryen ende sulme ajrore, ndërsa Hezbollahu dhe qeveria libaneze e konsiderojnë “zonën e sigurisë” të shpallur në mënyrë të njëanshme nga Izraeli si një pushtim që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare./Mxh
