Shqipëria shënoi një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, me mbylljen e tre grupkapitujve të negociatave gjatë Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian, e cila u zhvillua ditën e djeshme në Bruksel.
Për këtë zhvillim të vendit tonë ka reaguar Ambasada Gjermane në Tiranë, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të vendit.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, Ambasada Gjermane ka vlerësuar përpjekjet e autoriteteve shqiptare dhe ka shprehur mbështetjen për vijimin e reformave, duke theksuar rëndësinë e arritjes së rezultateve konkrete dhe të qëndrueshme në rrugën drejt BE-së.
“Mirëpresim Konferencën e nëntë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe mbylljen e përkohshme të Kapitujve 25, 26 dhe 30 – kapitujt e parë që u mbyllën në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Kjo tregon gatishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar në fushat kryesore të politikave të BE-së, për të thelluar bashkëpunimin në kërkim shkencor dhe inovacion, për të promovuar marrëdhënie më të ngushta arsimore dhe kulturore dhe për të kontribuar në forcimin e sigurisë ekonomike të BE-së.
Ne vlerësojmë përpjekjet e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të arritur këtë moment historik dhe i inkurajojmë ato të ruajnë këtë dinamikë pozitive gjatë punës së mëtejshme për kapitujt e mbetur. Kemi besimin se Shqipëria do të ndërtojë mbi këtë progres, do të vazhdojë kursin e saj të reformave me të njëjtën vendosmëri dhe do të arrijë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme – edhe në fushën e Themeloreve.
Konfirmojmë mbështetjen tonë në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe presim përparim të mëtejshëm në procesin e pranimit, bazuar në arritjet e veta dhe përmbushjen e kritereve të dakordësuara”, thuhet në njoftimin e Ambasadës./kb
