Politologu Adnan Beqiri komentoi deklaratat shokuese të ministres serbe, e cila tha disa ditë më parë se do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.
“Shqiptarët e Kosovës nuk janë kaq të befasuar nga ajo deklaratë. Edhe Vulin përdorte retorikë të ashpër ndaj Kosovës. Ne jemi mësuar, por kjo nuk do të thotë që duhet të mungojë reagimi, mbi të gjitha reagimi institucional”, tha Beqiri në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN.
Sipas tij, Shqipëria duhet të reagojë “për të rritur vetëdijësimin e bashkësisë ndërkombëtare”.
“Duhet të ngrejmë zërin për të thënë se fara e ndonjë konflikti të ardhshëm nuk është larguar. Unë e kuptoj rreshtimin ideologjik të Edi Ramës, që mundohet të gjejë pika të përbashkëta edhe me armiqtë. Është e kuptueshme kjo. Megjithatë, përballë deklaratave të tilla, kryeministri shqiptar duhet ta bëjë më serioz tonin kundrejt Serbisë. Pa pranim të krimeve të Serbisë, vështirë që mund të jetojmë me fqinjët tanë”, u shpreh Beqiri./ad
