Ka nisur zbatimi i Amnistisë Penale, duke sjellë ndryshime në situatën e qindra të dënuarve në burgjet shqiptare. Ligji i miratuar nga Kuvendi dhe i dekretuar nga Presidenti tashmë ka hyrë në fuqi, duke lejuar lirime, ulje dënimi dhe përfitime të tjera për kategori të caktuara.
Sipas të dhënave të para nga institucionet e vuajtjes së dënimit, mbi 1300 persona pritet të përfitojnë nga kjo amnisti. Një pjesë e tyre do të lënë menjëherë qelitë, ndërsa të tjerë do të kenë reduktim të kohës së mbetur të dënimit.
Në disa burgje kanë nisur procedurat e lirimit. Në Lushnjë pritet të dalin rreth 120 të dënuar, në Fier rreth 98 persona, ndërsa në disa institucione të tjera, si Korça, Fushë-Kruja dhe Pojskë, po zbatohen procedurat për përfituesit sipas kritereve të ligjit.
Nga masa e amnistisë përfitojnë të dënuarit që plotësojnë kushtet e përcaktuara, duke përfshirë dënime të shkurtra, kategori të caktuara sipas moshës dhe gra apo persona që kanë qenë të mitur në momentin e kryerjes së veprës penale.
Ndërkohë, ligji lë jashtë skemës personat e dënuar për vepra të rënda penale, si dhe çështjet që lidhen me juridiksionin e SPAK dhe vendimet e GJKKO-së.
Autoritetet kanë nisur verifikimin e dosjeve për të përcaktuar përfundimisht listën e përfituesve, ndërsa zbatimi i amnistisë pritet të vijojë në ditët në vazhdim në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale./kb
