Last Updated on 15/07/2026 by EL
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u paraqit të mërkurën në Gjykatën e Qarkut të Jerusalemit, ku rifilluan seancat e gjyqit të tij për korrupsion, që vazhdon prej vitit 2020.
Seanca e radhës u përqendrua në dëshminë e ministrit Ze’ev Elkin, emri i të cilit përmendet në aktakuzën e lidhur me Rastin 2000, ku Netanyahu akuzohet për mashtrim dhe shkelje të besimit.
Sipas planifikimit të gjykatës, procesi do të vazhdojë deri më 20 korrik, përpara pushimeve verore të gjyqësorit. Seancat do të rifillojnë në fillim të shtatorit dhe, pas pushimeve të tetorit, do të zhvillohen pesë ditë në javë.
Netanyahu përballet me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në tre çështje të njohura si Rastet 1000, 2000 dhe 4000. Aktakuzat u ngritën në nëntor 2019 nga Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm, Avichai Mandelblit.
Rasti 1000 lidhet me pretendimet se Netanyahu dhe familja e tij morën dhurata të shtrenjta nga biznesmenë në këmbim të favoreve politike. Rasti 2000 ka të bëjë me dyshimet për negociata me botuesin Arnon Mozes për sigurimin e një mbulimi mediatik të favorshëm, ndërsa Rasti 4000 përfshin akuza se kryeministri u dha përfitime rregullatore pronarëve të kompanisë Bezeq në këmbim të raportimit pozitiv nga portali i lajmeve Walla.
Netanyahu i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si një “fushatë të motivuar politikisht” që synon largimin e tij nga pushteti.
Ndërkohë, Izraeli pritet të mbajë zgjedhje të përgjithshme më 27 tetor, ku Netanyahu synon të sigurojë një mandat të ri si kryeministër./et