Presidenti i Federatës Italiane të Tenisit dhe Padelit (FITP), Anxhelo Binagi, shijon triumfin e dytë radhazi të Janik Sinerit në Uimbëlldon dhe nuk humbet rastin të ironizojë botën e futbollit italian. “Në çfarë ore luan Italia sonte? Nuk arrita ta ndiqja, sepse isha i përqendruar te Uimbëlldoni…”, tha me ironi Binagi në një intervistë për “Tg3”, një ditë pas fitores historike të Janik Sinerit në turneun prestigjioz londinez.
“THUMBIMI” NDAJ MALAGOS
Triumfi në Londër ishte një tjetër moment krenarie për tenisin italian. “Mund të them se misioni u përmbush plotësisht, jo vetëm falë fitores së jashtëzakonshme të Sinerit, por edhe rezultateve shumë të mira të Flavio Kobolit dhe Jasmin Paolinit”, u shpreh kreu i FITP-së. Më pas, Binagi komentoi edhe emërimin e Xhovani Malagos në krye të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC).
“Këshilla? Nuk besoj se ka nevojë për to, edhe sepse ai zakonisht bën të kundërtën e asaj që bëj unë, nga A-ja te Z-ja. I uroj suksese. Besoj se të gjithëve na intereson që futbolli italian të ecë më mirë se sa po ecën aktualisht. Rruga është e gjatë, por ai ka qenë gjithmonë me fat”.
Duke folur për mënyrën se si mund të ringrihet një federatë sportive, Binagi shtoi: “Receta është të shembësh gjithçka, të largosh të gjithë dhe ta nisësh nga e para, duke përmbysur themelet e një federate që nuk prodhonte më rezultate. Besoj se Malago do të bëjë të kundërtën”, përfundoi Binagi. Kujtojmë që për herë të parë në histori, Federata Italiane e Tenisit dhe e Padalit kaloi për arkëtime Federatën Italiane të Futbollit.
Mbi 230 milionë euro arkëtime për tenisin gjatë vitit 2025, ndërsa FIGC regjistroi rreth 200 milionë euro. Një tregues i qartë ky për zhvillimin e jashtëzakonshëm të tenisit në shtetin fqinj dhe për degradimin në menaxhimin e futbollit./et
