Last Updated on 17/07/2026 by EL
Një studim i ri italian ka zbuluar se pacientët që kanë pësuar një infarkt të rëndë të zemrës kanë përqendrime dukshëm më të larta të mikroplastikave dhe nanoplastikave në gjakun që furnizon arteriet koronare. Megjithatë, shkencëtarët sqarojnë se gjetjet nuk provojnë se plastika shkakton infarktin, por hedhin dritë mbi ndikimin e mundshëm të ndotjes mjedisore në shëndetin e zemrës.
Studimi, i publikuar në European Heart Journal, u realizua nga një grup studiuesish të universiteteve “La Sapienza” në Romë, Veronës dhe “Luigi Vanvitelli”. Në kërkim u përfshinë 61 pacientë të Spitalit Universitar “Sant’Andrea”, të cilëve iu morën mostra gjaku nga arteriet koronare dhe enët periferike për të analizuar praninë e mikroplastikave dhe nanoplastikave.
Rezultatet treguan se fragmente plastike u gjetën në 84% të pacientëve që kishin pësuar infarkt, në 40% të atyre me sëmundje ishemike të zemrës dhe në 32% të pacientëve me arterie të shëndetshme. Pacientët që kishin kaluar infarkt shfaqën gjithashtu një larmi më të madhe të llojeve të plastikës në gjak.
Studimi evidentoi edhe një lidhje të fortë me ndotjen e ajrit dhe duhanpirjen. Personat që jetonin në zona me nivele të larta të grimcave të imëta PM2.5 kishin më shumë gjasa të kishin mikroplastika në gjak, ndërsa duhanpirësit rezultuan gjashtë herë më të ekspozuar ndaj pranisë së tyre krahasuar me jo-duhanpirësit.
Sipas profesorit Emanuele Barbato, drejtues i Njësisë së Kardiologjisë në Spitalin Universitar “Sant’Andrea”, tymi i duhanit mund të lehtësojë depërtimin e mikroplastikave në qarkullimin e gjakut përmes mushkërive, ndërsa ndotja atmosferike mund të ketë të njëjtin efekt.
Megjithatë, autorët theksojnë se studimi nuk provon një marrëdhënie shkak-pasojë. Sipas tyre, rezultatet tregojnë vetëm një lidhje mes ekspozimit ndaj ndotjes, pranisë së mikroplastikave në gjak dhe episodeve akute kardiovaskulare.
Edhe ekspertë të pavarur kërkojnë kujdes në interpretimin e gjetjeve. Profesori Alun Hughes nga University College London thekson se një pjesë e mikroplastikave të zbuluara mund të kenë hyrë në qarkullimin e gjakut gjatë trajtimit spitalor, pasi infuzionet intravenoze dihet se mund të çlirojnë grimca plastike.
Megjithatë, studimi i shtohet një numri në rritje kërkimesh që po shqyrtojnë ndikimin e mikroplastikave në organizëm, duke ngritur shqetësime se ndotja plastike mund të përfaqësojë një faktor të ri rreziku për shëndetin kardiovaskular.
