Last Updated on 18/07/2026 by EL
Europa po përballet me një valë të re të motit ekstrem, ku zjarret, thatësira dhe stuhitë e fuqishme kanë goditur disa vende, duke shkaktuar viktima, evakuime masive dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Në verilindje të Spanjës, rreth 1 mijë banorë janë evakuuar, ndërsa zjarrfikësit, të mbështetur nga 30 mjete ajrore, po luftojnë për të vënë nën kontroll flakët. Vetëm pranë Ores, në rajonin e Aragonës, zjarri ka përfshirë mbi 12 mijë hektarë tokë, ndërsa vatra aktive raportohen edhe pranë Madridit dhe në provincën Guadalajara.
Në Francë, thatësira dhe temperaturat e larta kanë vënë në vështirësi funksionimin e një centrali bërthamor në jug të vendit, pasi uji i ngrohtë i Mesdheut po pengon ftohjen e reaktorëve. Ndërkohë, pas valës së të nxehtit, stuhi të fuqishme goditën disa rajone të vendit, duke lënë dy viktima dhe mbi 53 mijë familje pa energji elektrike.
Edhe Gjermania po përballet me pasojat e motit ekstrem. Niveli i ulët i ujit në lumin Rin ka penguar transportin lumor dhe ka rritur kostot e transportit.
Sipas Reuters, temperatura mesatare në Europë ka arritur në 27.5 gradë Celsius, rreth 4.2 gradë mbi mesataren e kësaj periudhe. Ndërkohë, shërbimi meteorologjik spanjoll paralajmëron se nga e diela temperaturat do të rriten sërish, duke arritur deri në 44°C në disa zona.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se kontinenti mund të përballet me “disa javë vdekjeprurëse”, ndërsa ekspertët theksojnë se valët e fundit të të nxehtit kanë shkaktuar mijëra vdekje më shumë se zakonisht në të gjithë Europën. /et
