Festimi i fitores së Spanjës në Kupën e Botës përfundoi me tragjedi në Ciudad Rodrigo, ku një djalë 13-vjeçar vdiq dhe tre persona të tjerë u plagosën rëndë kur një shatërvan u shemb pasi tifozët u ngjitën mbi të.
Pas fishkëllimës së fundit dhe fitores së Spanjës ndaj Argjentinës, e vulosur me një gol nga Ferran Torres , qindra mijëra tifozë dolën në rrugë për të festuar titullin. Në Ciudad Rodrigo, një nga pikat kryesore të grumbullimit ishte shatërvani Arbol Gordo.
Në kulmin e festimeve, pjesa e sipërme e shatërvanit u shemb dhe ra mbi disa njerëz që ndodheshin në strukturë. Midis tyre ishte edhe 13-vjeçari, i cili u trajtua në qendrën shëndetësore në Ciudad Rodrigo, ku më vonë humbi jetën.
Qendra e Emergjencës 112 e Castilla y Leon mori alarmin e parë në orën 00:33 sipas orës lokale, kur disa thirrje raportuan shembjen e shatërvanit . Më pas mobilizoi policinë lokale të Ciudad Rodrigo, Gardën Civile të Salamancës, brigadën e zjarrfikësve provincialë dhe shërbimet mjekësore emergjente të Sacyl, të cilat dërguan disa njësi në vendngjarje.
Sipas raportimeve të para, përveç 13-vjeçarit, të paktën dy persona të tjerë u plagosën, njëri prej tyre me këmbë të thyer. Zona ku ndodhi shembja është rrethuar dhe mbetet nën roje ndërsa hetohen rrethanat e aksidentit. Grupi i Ndërhyrjes Psikologjike në Fatkeqësi dhe Emergjenca është aktivizuar gjithashtu për të ofruar mbështetje familjes së të miturit të ndjerë./ad
