Last Updated on 20/07/2026 by EL
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar këtë të hënë kërkesën për gjykim të shkurtuar në dosjen ku i pandehur është kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, së bashku me shtatë persona të tjerë.
Beci dhe të pandehurit e tjerë akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, në lidhje me një procedurë prokurimi me vlerë rreth 68 milionë lekë, e zhvilluar në kohën kur ai drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Gjykimi i shkurtuar u pranua për Benet Becin, Adela Rukon, Edlira Mitrushin, Jonid Kazanin, Yllka Nishkun dhe Rudin Gjonin. Ndërkohë, i pandehuri Premtim Dauti do të gjykohet me procedurë të zakonshme.
Seanca e radhës është caktuar për më 14 shtator, kur prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi, pritet të paraqesë konkluzionet përfundimtare për të pandehurit.
Gjatë seancës, Benet Beci, të pandehurit e tjerë dhe avokatët e tyre kërkuan pushimin e çështjes, duke argumentuar se duhet të zbatohet ligji për amnistinë, i cili, sipas tyre, parashikon përjashtimin nga ndjekja penale të veprave të kryera deri më 31 maj 2026, kur dënimi i parashikuar nuk i kalon tre vjet burg.
Nga ana e tij, SPAK deklaroi se do të paraqesë një qëndrim me shkrim në seancën e ardhshme, ndërsa trupi gjykues bëri të ditur se do të shprehet për këtë kërkesë në vendimin përfundimtar./et
