Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar fillimin e “operacioneve të zonës pilot” në Libanin jugor, ku Forcat e Armatosura Libaneze do të vendosen teksa tërhiqen trupat izraelite.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se operacionet filluan në tre fshatra në përputhje me Kornizën Trilaterale që tre vendet kanë arritur në negociata dhe nën kujdesin e Grupit të Koordinimit Ushtarak për Libanin.
Megjithatë, dy nga tre fshatrat e përmendura në deklaratën e Departamentit të Shtetit nuk kanë forca izraelite të vendosura atje.
Dy prej tyre ndodhen në të parën nga dy zonat pilot të caktuara për vendosjen e forcave libaneze, si pjesë e marrëveshjes kornizë që Izraeli dhe Libani arritën muajin e kaluar. Kjo zonë pilot ndodhet jashtë zonës tampon rreth 6 km të forcave të mbrojtjes izraelite në Libanin jugor.
Zona e dytë pilot shtrihet në të dyja anët e zonës tampon të IDF. Fshati tjetër është brenda zonës tampon të Izraelit. Forcat izraelite të vendosura aktualisht atje do të duhet të tërhiqen.
Departamenti i Shtetit nuk e specifikoi se çfarë nënkupton me fillimin e operacioneve në zonën pilot, por me sa duket i referohet vendosjes së forcave te ushtrise libaneze në ato tre fshatra.
“Ky moment historik është një rezultat i drejtpërdrejtë i diskutimeve të javës së kaluar midis Izraelit dhe Libanit në Romë.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me të dyja palët për të zbatuar Kornizën deri në një përfundim të suksesshëm”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Ndërsa Izraeli pranoi të tërheqë trupat e tij nga zona e dytë pilot si pjesë e marrëveshjes kornizë që nënshkroi me Libanin muajin e kaluar, ai ende nuk e ka bërë këtë.
Zyrtarët ushtarakë që thonë se nuk kanë marrë një direktivë nga udhëheqësit e zgjedhur për t’u tërhequr nga zona.
Kjo situatë ka dëmtuar negociatat me Libanin, i cili kërcënoi shkurtimisht të bojkotonte bisedimet e javës së kaluar në Romë, përpara se SHBA të arrinin ta bindnin Bejrutin me siguri se do të bëhej përparim në këtë çështje.
Megjithatë, mbetet e paqartë se kur forcat izraelite do të fillojnë të tërhiqen nga zona e dytë, pasi nuk është dhënë asnjë afat kohor./mxh
