Last Updated on 21/07/2026 by Anisa
Një vaksinë eksperimentale që trajnon sistemin imunitar të njohë dhe të sulmojë qelizat me një mutacion karakteristik të kancerit të pankreasit ka dhënë rezultate inkurajuese në një studim të vogël klinik të fazës së parë.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Cancer Discovery, vlerësoi kryesisht sigurinë e vaksinës dhe aftësinë e saj për të aktivizuar sistemin imunitar. Ajo që e bën këtë qasje veçanërisht të rëndësishme është se bëhet fjalë për një vaksinë parandaluese për personat me rrezik të lartë për zhvillimin e kancerit të pankreasit, dhe jo për një vaksinë terapeutike për pacientët që janë tashmë të prekur nga sëmundja.
Vaksina është zhvilluar nga studiues të Johns Hopkins Kimmel Cancer Center në SHBA dhe synon gjenin KRAS, një nga faktorët kryesorë që nxit zhvillimin e adenokarcinomës duktale të pankreasit, forma më e zakonshme dhe më agresive e këtij tumori.
Shkencëtarët përfshinë në vaksinë gjashtë variantet më të zakonshme të mutacionit KRAS, së bashku me një substancë që stimulon sistemin imunitar. Qëllimi është që organizmi të mësojë të identifikojë dhe eliminojë qelizat me mutacion, duke lënë të paprekura qelizat e shëndetshme.
Një version i kësaj vaksine ishte testuar më parë, në vitin 2020, tek pacientët e operuar nga kanceri i pankreasit dhe me rrezik të lartë rikthimi. Ata që zhvilluan një përgjigje të fortë imunitare mbetën pa shenja të sëmundjes për të paktën pesë vjet.
Këto rezultate i shtynë studiuesit ta provojnë vaksinën si masë parandaluese tek persona me rrezik të lartë, për shkak të historisë familjare, mutacioneve gjenetike ose pranisë së cisteve pankreatike që mund të shndërrohen në tumore.
Në studimin e ri morën pjesë 20 persona, të cilët morën katër doza të vaksinës gjatë 13 javëve, në periudhën 2022–2026. Gjatë ndjekjes me analiza gjaku dhe kontrolle klinike, 90% e pjesëmarrësve zhvilluan një përgjigje imunitare, ndërsa qelizat mbrojtëse që njohin mutacionin KRAS vazhdonin të ishin të pranishme edhe pas dy vjetësh.
Pas një periudhe mesatare ndjekjeje prej 16.5 muajsh, asnjë prej pjesëmarrësve nuk zhvilloi kancer pankreatik ose lezione malinje. Tek pacientët me ciste pankreatike, pesë prej tyre patën zhdukje të plotë të lezioneve më të vogla, tre të tjerë shfaqën regres të pjesshëm, ndërsa te pjesa tjetër lezionet mbetën të pandryshuara.
Efektet anësore ishin të lehta dhe kalimtare, kryesisht lodhje, të dridhura dhe simptoma të ngjashme me gripin, pa pasur nevojë për trajtim me ilaçe.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes. Studimi ishte projektuar për të vlerësuar sigurinë dhe aktivizimin e sistemit imunitar, jo efektivitetin në parandalimin e kancerit. Për shkak të numrit të vogël të pjesëmarrësve dhe kohës së kufizuar të ndjekjes, nevojiten studime më të mëdha dhe afatgjata për të konfirmuar përfitimet.
Nëse rezultatet konfirmohen, kjo vaksinë mund të hapë rrugën drejt një forme të re parandalimi për personat me rrezik të lartë për kancerin e pankreasit. Ndryshe nga vaksinat e personalizuara me mRNA, vaksinat me peptide mund të prodhohen në mënyrë standarde dhe të përdoren në një numër më të madh pacientësh, duke e bërë parandalimin potencialisht më të arritshëm në të ardhmen./ad
