Rritja e çmimeve të kafesë po i orienton konsumatorët drejt kafesë në kokërr dhe pajisjeve që e bluajnë dhe e përgatisin atë në shtëpi, sipas kompanisë italiane Lavazza.
Giuseppe Lavazza, kryetar i grupit familjar, tha për Financial Times se konsumatorët po zgjedhin të blejnë “më pak, por më mirë”, duke u zhvendosur nga kafeja e çastit dhe kapsulat drejt produkteve me cilësi më të lartë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, shitjet e kafesë në kokërr u rritën me 20.3% në vëllim gjatë një viti, ndërsa në vlerë u zgjeruan me 36.8%. Në të njëjtën periudhë, shitjet e aparateve automatike që bluajnë kafenë dhe e përgatisin drejtpërdrejt në filxhan u rritën me 33.5%, sipas të dhënave të raportuara nga Financial Times.
Lavazza tha se e njëjta prirje po vërehet edhe në Francë, Itali dhe Gjermani. Në tregun gjerman, shitjet e kafesë në kokërr kanë kaluar ato të kafesë tradicionale të bluar.
Sipas Financial Times, rritja e kërkesës për kafe në kokërr lidhet me përpjekjen e konsumatorëve për të përgatitur në shtëpi një kafe të ngjashme me atë të kafeneve, në një kohë kur çmimet e konsumit janë rritur.
Lavazza nuk pret ulje të shpejtë të çmimeve
Çmimet e kontratave të kafesë arabica dhe robusta janë ulur nga nivelet rekord të vitit 2025, por Lavazza tha se tregu mbetet tepër i paqëndrueshëm për të ulur çmimet e produkteve përfundimtare.
Kompania e lidh pasigurinë me kushtet atmosferike në vendet prodhuese, furnizimet e kufizuara dhe kujdesin më të madh të kompanive përpunuese në blerjen e lëndës së parë.
Sipas të dhënave të cituara nga The Guardian, çmimi i kafesë arabica është rritur me 230% që nga viti 2021, ndërsa ai i robustës me 325%. Rritja është lidhur me motin e pafavorshëm në Brazil dhe Vietnam, si dhe me kostot më të larta të energjisë, transportit dhe punës.
Të ardhurat e Lavazza-s arritën në 3.9 miliardë euro
Lavazza raportoi të ardhura prej 3.9 miliardë eurosh në vitin 2025, me rritje 15.7% krahasuar me një vit më parë, sipas Financial Times.
Kompania po përgatitet gjithashtu të hedhë në treg sistemin “Tablì”, një tabletë kafeje për një përdorim, pa ambalazh plastik ose alumini. Produkti vjen në një kohë kur kërkesa për disa lloje kapsulash po dobësohet dhe konsumatorët po orientohen më shumë drejt kafesë në kokërr. /Financial Times-ad
