Last Updated on 21/07/2026 by Anisa
Një 66-vjeçar është gjetur i pajetë brenda një automjeti që u përfshi nga flakët mëngjesin e kësaj të hëne në qytetin e Korçës.
Ai jetonte momentalisht vetëm pasi ka pasur probleme në familje me bashkëshorten e tij. Kjo e fundit ka shkuar në Greqi për të jetuar me dy fëmijët që ka çifti.
Para aktit fatal, 66-vjeçari la një letër në banesë. Në shënimin e gjetur nga policia, mësohet se viktima ka shkruar “Po iki se nuk jam sjellë mirë me familjen”.
Dyshohet se kjo ka qenë arsyeja që 66-vjeçari i dha fund jetës, pasi ndihej fajtor për marrëdhënien jo të mirë brenda familjes.
Vetëm një ditë më parë, mësohet se 66-vjeçari ka përcjellë bashkëshorten drejt Greqisë.
Njoftimi i policisë:
“Rreth orës 08:40, në lagjen nr. 10, Korçë, një automjet tip “Benz” është përfshirë nga flakët.
Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se brenda automjetit, në sediljen e parë të pasagjerit, ndodhej pa shenja jete shtetasi I. Ç., rreth 66 vjeç.
Nga veprimet dhe informacionet paraprake dyshohet se shtetasi mund të jetë vetëdjegur brenda automjetit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes“, thuhet në njoftimin e policisë./ad
