Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të interesuara për zhvillimin e bisedimeve me Iranin në këtë fazë, duke thënë se Teherani duhet të tregojë gatishmëri për një dialog “kuptimplotë”, sipas AP.
“Ata duan me dëshpërim të takohen. Por derisa të jenë gati për një takim serioz, ne nuk kemi interes të takohemi”, tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Sipas tij, zyrtarët iranianë kanë shprehur përmes kanaleve diplomatike, dëshirën për të zhvilluar bisedime për t’i dhënë fund konfliktit, pasi Irani po përballet me goditje të rënda.
Deklarata e Trump vjen në një kohë kur marrëveshja e përkohshme mes SHBA-së dhe Iranit për ndalimin e luftimeve është drejt dështimit, ndërsa dy vendet kanë vijuar shkëmbimin e sulmeve për 10 ditë radhazi.
Gjatë përshkallëzimit të fundit, Irani sulmoi një anije-cisternë në Ngushticën e Hormuzit, duke detyruar ekuipazhin të braktiste anijen, ndërsa ushtria amerikane kreu sulme ajrore ndaj objektivave në Iran.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm iranian, Eskandar Momeni, është takuar me ndërmjetësues në Pakistan, në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen e përkohshme mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse mund të arrihet një pakt i ri për ndalimin e luftimeve.
Në të njëjtën ditë, Trump priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Libanit, Joseph Aoun, në një takim që zhvillohet në një kohë kur Libani dhe Izraeli po zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta me ndërmjetësimin e SHBA-së, me synim uljen e tensioneve pas disa muajsh përleshjesh mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani.
Konflikti ka sjellë edhe viktima amerikane. Ushtria amerikane njoftoi se një ushtar amerikan, rreshteri Michael Emmanuel Swinton, 30 vjeç, nga Karolina e Veriut, humbi jetën gjatë çmontimit të një droni në Irak.
Një ditë më parë u konfirmua vdekja e dy ushtarëve të tjerë amerikanë në Jordani, gjatë mbrojtjes ndaj sulmeve iraniane me raketa balistike dhe dronë.
Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane, 17 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën që nga fillimi i luftës.
Trump paralajmëroi se çdo sulm i ri iranian ndaj forcave amerikane do të pasohet nga kundërpërgjigje e shumëfishtë.
Ndërkohë, Senati amerikan pritet të shqyrtojë kërkesën e administratës Trump për një paketë shtesë financimi prej 87,6 miliardë dollarësh, kryesisht për të mbuluar kostot e luftës.
Në seancë pritet të dëshmojnë sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe kreu i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, gjenerali John Caine.
Përplasja mes SHBA-së dhe Iranit vijon të mbetet e hapur, ndërsa përpjekjet diplomatike për një marrëveshje të re, ende nuk kanë sjellë rezultat konkret./mxh
