Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka konfirmuar publikisht se ish-zyrtarë të lartë gjermanë dhe rusë zhvilluan një takim të fshehtë në Baku, duke kundërshtuar deklaratën e kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili më herët kishte mohuar se kishte dijeni për një takim të tillë.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Berlin, Merz hodhi poshtë raportimet për bisedime jozyrtare mes ish-politikanëve të rangut të lartë, duke deklaruar: “Nuk di asgjë për një takim të tillë.”
Por Aliyev publikoi detaje të reja, duke thënë se të dhënat e fluturimeve të verifikuara nga Shërbimi Shtetëror i Kufirit të Azerbajxhanit konfirmojnë praninë e ish-zyrtarëve gjermanë dhe rusë në kryeqytetin azer.
Udhëtimet e ish-zyrtarëve, të regjistruara në kufi
Sipas Aliyev, ish-kreu i Kancelarisë Gjermane, Ronald Pofalla, dhe ish-politikani socialdemokrat Matthias Platzeck mbërritën në Baku nga Berlini më 12 korrik dhe u larguan më 14 korrik.
Të dhënat e fluturimeve, sipas presidentit azer, konfirmuan gjithashtu mbërritjen e ish-kryeministrit rus Viktor Zubkov, aktualisht kryetar i bordit të Gazprom, si dhe të Valery Fadeyev, kreu i Këshillit Presidencial të Rusisë për Shoqërinë Civile.
“Territori ynë thjesht u përdor pa dijeninë tonë”, tha Aliyev, duke theksuar se as Berlini dhe as Moska nuk kishin njoftuar autoritetet azerbajxhanase përpara takimit.
Dyshime për ndikim rus
Agjencitë gjermane të sigurisë dyshojnë se takimet mund të jenë pjesë e një përpjekjeje ruse për të ndikuar në politikën gjermane dhe për të dobësuar qëndrimin perëndimor ndaj luftës në Ukrainë.
Edhe pse pjesëmarrësit gjermanë nuk mbajnë më poste zyrtare shtetërore, lidhjet e tyre të forta me partitë kryesore politike gjermane, Christian Democratic Union of Germany dhe Social Democratic Party of Germany, konsiderohen si një kanal potencial komunikimi me qarqet politike në Berlin.
Aliyev tha se Azerbajxhani nuk do të kundërshtonte bisedime jozyrtare nëse ato do të sillnin rezultate për paqen.
“Nëse ky takim i shërben përfundimit të luftës ruso-ukrainase, ne sigurisht e mirëpresim atë”, u shpreh presidenti azer./mxh
