Ukraina ka kërkuar mbajtjen e një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 27 korrik, pas sulmeve ruse ndaj anijeve në Detin e Zi, bëri të ditur ministri i Jashtëm në detyrë i Ukrainës, Andrii Sybiha.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Sybiha tha se të paktën tre anije civile të transportit të mallrave janë sulmuar ditët e fundit, ndërsa “disa dhjetëra” anëtarë të ekuipazheve janë vrarë ose plagosur.
Ai theksoi se asnjë anije nuk kaloi dje përmes korridorit detar ukrainas në Detin e Zi, pikërisht në kulmin e sezonit të korrjeve.
“Kjo është një formë e qëllimshme terrori ekonomik dhe humanitar. Rusia po mban peng sigurinë ushqimore globale”, shkroi Sybiha, duke u bërë thirrje shteteve, veçanërisht atyre që preken nga situata, të kërkojnë menjëherë ndërprerjen e sulmeve ruse ndaj lirisë së lundrimit në Detin e Zi.
Sipas tij, “asnjë vend nuk ka të drejtë ta çojë botën në uri” dhe vetëm presioni i bashkësisë ndërkombëtare mund t’i japë fund këtyre veprimeve.
Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi shtimin e presionit ndaj Moskës dhe vendosjen e sanksioneve më të ashpra.
“Në plan afatgjatë do të ketë sanksione, në plan afatmesëm do të ketë goditje, ndërsa në vijën e frontit do të mbajmë pozicione të forta. Të gjitha këto do të realizohen”, deklaroi ai në fjalimin e tij të përnatshëm.
Zelensky njoftoi gjithashtu se është takuar me ambasadorin amerikan në NATO, Matthew Whitaker, me të cilin ka diskutuar për sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot”.
“Na duhen raketa për të mbrojtur jetën e njerëzve tanë. Nuk mund të ketë mungesë të raketave për të neutralizuar raketat balistike, siç ka ndodhur muajt e fundit. Është e rëndësishme që partnerët tanë të na ndihmojnë”, tha presidenti ukrainas.
Ai shtoi se ka zhvilluar bisedime edhe me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner për ringjalljen e përpjekjeve diplomatike me synim përfundimin e luftës.
Ukraina po përballet me pushtimin e plotë rus prej më shumë se katër vitesh./mxh
