Last Updated on 23/07/2026 by Monika
Njerëzit sot jetojnë më gjatë se në vitin 1990, por vitet shtesë nuk përkthehen domosdoshmërisht në shëndet më të mirë. Një studim i publikuar në The Lancet Public Health, i bazuar në të dhënat e projektit Global Burden of Disease, tregon se hendeku mes jetëgjatësisë dhe viteve të jetuara në shëndet të mirë është zgjeruar pothuajse në të gjithë botën.
Sipas analizës, nga viti 1990 deri në vitin 2023 ky hendek është rritur nga 8,8 në 10,7 vite, që do të thotë se mesatarisht njerëzit kalojnë pothuajse 11 vite të jetës duke jetuar me sëmundje kronike ose aftësi të kufizuara.
Studimi, i udhëhequr nga Institute for Health Metrics and Evaluation (IHME) në Universitetin e Uashingtonit, zbulon se në vitin 2023 njerëzit kaluan mesatarisht 14,5% të jetës në gjendje jo të mirë shëndetësore, krahasuar me 13,6% në vitin 1990. Për më tepër, problemet shëndetësore nuk shfaqen vetëm në pleqëri, por shoqërojnë individët përgjatë gjithë moshës së rritur.
Gjatë kësaj periudhe, jetëgjatësia globale është rritur nga 64,6 në 73,8 vjet, ndërsa vitet e jetuara në shëndet të mirë janë rritur nga 55,9 në 63,1 vjet, duke treguar se përparimi në mbijetesë ka qenë më i shpejtë se përmirësimi i cilësisë së jetës.
Hendeku është më i madh në vendet me të ardhura të larta. Në vitin 2023 ai arriti në 14 vite në Shtetet e Bashkuara, 13,9 vite në Australi, 13,7 vite në Kanada, ndërsa në Itali ishte 11,8 vite. Në anën tjetër, hendeku më i vogël u regjistrua në Afrikën Sub-Sahariane, me rreth 9 vite.
Studiuesit theksojnë se nuk mjafton vetëm zgjatja e jetës. Politikat shëndetësore duhet të fokusohen edhe në përmirësimin e cilësisë së saj, përmes parandalimit, menaxhimit të sëmundjeve kronike dhe zgjerimit të aksesit në kujdes shëndetësor.
Studimi evidenton gjithashtu se gratë jetojnë më gjatë se burrat, por kalojnë edhe më shumë vite me probleme shëndetësore. Në vitin 2023, hendeku mesatar ishte 12,1 vite për gratë, krahasuar me 9,3 vite për burrat.
Mbi gjysmën e viteve të humbura në shëndet e shkaktojnë sëmundje që zakonisht nuk janë fatale, si dhimbjet kronike muskulo-skeletore, depresioni dhe ankthi, problemet e shikimit dhe dëgjimit, dëmtimet nga rrëzimet, si edhe sëmundjet kronike kardiovaskulare, metabolike, neurologjike dhe të aparatit tretës.
Sipas studiuesve, shumë prej këtyre viteve mund të shmangen përmes parandalimit. Faktorët kryesorë të rrezikut janë niveli i lartë i sheqerit në gjak, obeziteti, kequshqyerja e nënave dhe fëmijëve, pirja e duhanit dhe, në vendet në zhvillim, ndotja e ajrit.
Ekspertët rekomandojnë investime në parandalimin e aftësisë së kufizuar, zgjerimin e shërbimeve të rehabilitimit dhe forcimin e kujdesit për shëndetin mendor, në mënyrë që vitet shtesë të jetës të jenë edhe vite të jetuara me shëndet të mirë./mxh
