Të humbasësh motivimin nuk ndodh zakonisht pas një dështimi të vetëm. Sipas psikologëve, ai gërryhet ngadalë nga një zakon që duket i padëmshëm: nevoja e vazhdueshme për miratimin e të tjerëve.
Ky model sjelljeje shfaqet në situata të përditshme. Pret mendimin e dikujt para se të marrësh një vendim, heziton të shprehësh një ide derisa të shohësh reagimin e grupit ose poston diçka në rrjetet sociale dhe pret me ankth pëlqimet e komentet. Problemi nuk është vetë kërkimi i këshillës, por kur miratimi i të tjerëve bëhet kushti që të veprosh.
Sipas Self-Determination Theory, një nga teoritë më të studiuara në psikologjinë e motivimit, motivimi afatgjatë mbështetet në tre shtylla: ndjenja e kompetencës, lidhja me të tjerët dhe autonomia, ndjesia se zgjedhjet e tua janë vërtet të tuat.
Kur kërkojmë vazhdimisht aprovimin e të tjerëve, autonomia fillon të zbehet. Gradualisht, nuk veprojmë më sepse duam ne, por sepse presim “dritën jeshile” nga dikush tjetër.
Pse është kaq e vështirë ta dallosh këtë zakon?
Kjo sjellje shpesh maskohet si maturi apo përgjegjësi. Dikush që konsultohet vazhdimisht me të tjerët duket i kujdesshëm, ndërsa ai që pret para se të shprehë një mendim perceptohet si i matur.
Megjithatë, psikologët bëjnë një dallim të rëndësishëm: është ndryshe të kërkosh mendime për të marrë një vendim dhe krejt ndryshe të mos marrësh asnjë vendim pa marrë më parë miratimin e të tjerëve.
Studimet tregojnë se motivimi është më i qëndrueshëm kur veprimet burojnë nga vlerat personale, jo nga frika se mos zhgënjejmë dikë ose ndihemi fajtorë.
Çfarë ndodh në tru?
Kërkimet sugjerojnë se, me kalimin e kohës, edhe sistemi i shpërblimit në tru mund të përshtatet me këtë model. Në vend që kënaqësia të vijë nga vetë përparimi ose puna e bërë mirë, truri fillon të “presë” shpërblimin e jashtëm, si komplimentet, pëlqimet, vlerësimet apo miratimin.
Kjo nuk do të thotë se personi në fjalë është dembel apo pa ambicie. Shpesh ky është një model i mësuar nga përvoja të mëparshme, marrëdhënie të pasigurta, mjedise shumë kritike ose familje ku miratimi përdorej si formë kontrolli.
Si ta rifitosh motivimin?
Psikologët sugjerojnë të rikthehesh te ajo që ka rëndësi për ty, jo te ajo që mendojnë të tjerët. Një metodë e rekomanduar është të reflektosh mbi vlerat dhe aktivitetet që të kanë dhënë kënaqësi të sinqertë, pavarësisht vlerësimit të të tjerëve.
Po aq e dobishme është të bësh qëllimisht disa veprime të vogla pa kërkuar asnjë lloj aprovimi. Përfundo një projekt dhe mos ia trego askujt. Merr një vendim të thjeshtë pa pyetur askënd. Këto ushtrime ndihmojnë që “busulla” e brendshme të rifitojë rolin e saj.
Në fund, motivimi nuk rikthehet duke kërkuar më shumë duartrokitje. Ai rikthehet kur mësojmë të veprojmë sepse diçka ka kuptim për ne, jo sepse presim që dikush tjetër ta miratojë./mxh
