Dakota Johnson do të rikthehet në ekran me një nga rolet më sfiduese të karrierës së saj, duke interpretuar ikonën e Hollivudit, Marilyn Monroe, në filmin e ri “Flesh Impact”, me regji të Maggie Gyllenhaal.
Projekti u prezantua më 27 korrik, datë që shënon 100-vjetorin e lindjes së Monroe, ndërsa njëkohësisht u publikuan edhe imazhet e para nga xhirimet. Në to, Johnson shfaqet me një transformim të plotë fizik, duke sjellë një ngjashmëri të habitshme me legjendën e kinemasë.
Filmi do të fokusohet te periudha më e njohur e jetës artistike të Marilyn Monroe, ndërsa aktorja veterane Ellen Burstyn do të interpretojë një version më intim dhe më pak të njohur të ikonës, duke eksploruar anët e saj larg vëmendjes së publikut.
Regjisorja Maggie Gyllenhaal ka treguar se ideja për këtë projekt e ka shoqëruar prej kohësh. Ajo u shpreh se dëshironte të sillte në ekran jo vetëm figurën që publiku njeh, por edhe dimensionin njerëzor të Monroe, përmes një këndvështrimi bashkëkohor.
Në një intervistë për Vanity Fair, Gyllenhaal pranoi se fillimisht kishte hezituar të merrte përsipër një histori kaq të rëndësishme, por më pas vendosi ta trajtonte në një mënyrë të re, duke u fokusuar te personaliteti dhe talenti i aktores.
Sipas saj, ajo që e bën Marilyn Monroe të pazëvendësueshme është mënyra unike e interpretimit, spontaneiteti dhe emocionet që arrinte të transmetonte në ekran, cilësi që vazhdojnë ta bëjnë një nga figurat më të dashura të historisë së kinemasë.
Në kastin e filmit bëjnë pjesë edhe Sepideh Moafi dhe Peter Sarsgaard, ndërsa “Flesh Impact” do të ketë premierën botërore në Festivalin e Filmit në Venecia, që zhvillohet në shtator 2026./mxh
